Nën titullin “Pse zonja e çelikut duhet të qëndrojë prapa hekurave”, “Der Bund” dhe “Tagesanzeiger”, gazeta zvicerane, shkruajnë për aferën dhe arrestimin e zyrtares serbe, Dijana Hrkaloviq, duke thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ministri i brendshëm Nebojsha Stefanoviqç janë të lidhur direkt me mafian, dhe se aktualisht janë në një “luftë” të ndjekur nga i gjithë kombi.
Në njërin nga nëntitujt shkruhet “Mafia dhe policia në Serbi”, dhe aty shpjegohet se Dijana Hrkaloviq e ndërtoi karrierën e saj në Ministrinë e Brendshme, si dikush që komunikonte drejtpërdrejt me qarqet mafioze dhe kryente punët e pista të Nebojsha Stefanoviqit.
Në tekst përmendet edhe Veljko Belivuk, por edhe Aleksandar Vuçiq, kur thuhet se në televizion ka paraqitur detaje të neveritshme të krimeve të Belivuk-ut, për bluarjen e mishit, prodhimin e qebapëve nga pjesët e trupit të njeriut dhe të ngjashme. Autori i tekstit shprehet i tmerruar nga ajo që ka parë në mediat serbe pro regjimit të Vuçiqit.
Më tej ai shpjegon ngritjen e Dijana Hrkaloviq. Pretendon se të njëjtat media pro regjimit dikur e lavdëronin dhe e quanin “Zonja e çelikut”, ndërsa sot e “shkatërrojnë” dhe i bëjnë tekste për të brendshmet dhe fotot nudo. Autori i quan mediat pro regjimit një “makinë të së keqes” që është gati ta shkatërrojë jetën e kujtdo që përbën rrezik për regjimin.
Në tekst përmendet edhe djali i Vuçiqit, Danilo.
Autori kujton tekstet e publikuara nga gazeta serbe, KRIK , dhe thekson se në të njëjtat foto ku ndodheshin anëtarët e klanit Belivuk, shihet edhe Danilo Vuçiq, djali i presidentit të Serbisë. Teksti kujton gjithashtu se KRIK publikoi dëshminë e Belivuk, në të cilën ai pretendonte se Vuçiq kërkonte që ai t’i frenonte tifozët në tribunë që të mos bërtisnin ” Vučiću pederu”.
Autori spekulon se arrestimi i Dijana Hrkaloviqit është vetëm një paralajmërim për Stefanoviqin për të mos publikuar materiale komprometuese shtesë lidhur me presidentin e Serbisë.
Një pjesë e tekstit mund të lexohet në faqen zyrtare të “Der Bunda”, por edhe në faqen e “Tagesanzieger”. Transmeton Botapress.info