[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Mbyllen 70 programe studimi në universitetet publike



Rreth 70 programe të ndryshme të gjashtë universiteteve publike në vend, janë mbyllur nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës, pasi po të njëjtat programe ekzistojnë në Universitetin më të madh Publik “Hasan Prishtina”.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, kërkon nga këto institucione që të profilizohen në fushë-veprimtarinë e tyre dhe të sigurojnë cilësi akademike, raporton KTV.

Por, sipas tij, janë krijuar strategji të ndryshme që këto universitete të gjejnë identitetin e vet. Bajrami pranon se këto institucione ballafaqohen edhe me mos-kompletimin e stafit, por janë vetë ato që duhet të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se kanë pasur mundësi të angazhohen vetëm ata profesorë që nuk kanë pasur mbinormë në UP.

E, njohësit e arsimit thonë se këto universitete janë krijuar vetëm për pikë politike, por meqë tashmë ekzistojnë, duhet të gjenden forma që ato ofrojnë planprogram të mirëfilltë akademik, duke siguruar staf të kualifikuar për këtë.