[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Mbi 900 aksidente në komunikacion, pas reshjeve të borës (Video)



Pas reshjeve të fundit të borës, në gjithë territorin e Kosovës kanë ndodhur rreth 224 aksidente në komunikacion, që kanë rezultuar me lëndime të personave dhe 683 aksidente të tjera që kanë rezultuar me dëme materiale. Fatmirësisht, megjithatë, nuk është evidentuar asnjë aksident me pasoja fatale.

Në Klinikën Emergjente thonë se kohët e fundit është vërejtur një zvogëlim i numrit të të lënduarve në komunikacion, por kanë ngritje të të lënduarve si pasojë e rrëzimit apo rrëshqitjes.

Derisa, rrugët në kryeqytet janë të pastruara, por e njëjta nuk mund të thuhet edhe për trotuare.

Edon Gashi, qytetar nga Prishtina, tha se rrugët janë të kalueshme përveç disa rrugicave që janë më thellë në qytet.

“Po janë të kalueshme, përveç disa rrugicave që janë më thellë në qytet. Kështu, magjistralet janë mirë”, tha ai.

Edhe Asllan Kllokoqi, qytetar nga Prishtina, tha se rrugët janë të pastruara mirë dhe se nuk ka vështirësi të kalojë me veturën e tij.

“Mirë janë sa i përket lagjes së Spitalit, rruga për Hajvali është mirë, nëpër qytet mirë”, tha ai.

Klit Çollaku, tha se rrugët janë të kalueshme në Prishtinë dhe sipas tij, kryeqyteti është shembull për të gjitha qytetet e tjera të Kosovës.

“Po rrugët janë të kalueshme, nuk po ka vështirësi me borë, normalisht që dimri ka kapak vështirësi. Mirëpo, në përgjithësi janë të kalueshme. Trotuaret janë pjesërisht të pastruara, në gjeneral nuk është keq, është mirë. Në krahasim me qytete tjera, unë vi prej Prizrenit dhe është me të vërtet keq. Prishtina është shembull i të gjitha qyteteve në Kosovë”, tha ai.

Se rrugët janë të pastruara dhe të kalueshme në komunën e Prishtinës e thotë edhe shefi i emergjencave në këtë komunë, Ibush Kelmendi. Sipas tij, gjendja e rrugëve në qendër të Prishtinës është në nivel shumë të mirë, por që shton se ka pak probleme me zonat rurale të qytetit.

“Gjendja e rrugëve në kryeqendër, në qytet është në nivel shumë të mirë, kemi pak probleme me rrugët në pjesët rurale të komunës, për shkak që mbrëmë përveç reshjeve jo ku me ditë sa të mëdha për shkak të erës së madhe që ka fryre një pjesë e borës e ka hedhë nëpër rrugë dhe ka krijuar ortekë, mirëpo kompanitë gjatë tërë natës kanë funksionuar, kemi ende kërkesa për pastrimin e rrugëve nëpër pjesët rurale, por jo edhe në pjesën urbane, pasi që në qytet vërtetë janë rrugët në nivel”, tha ai.

Përkundër rrugëve të pastruara, njëjtë nuk është edhe me trotuaret. Jakup Demaku thotë për KosovaPress, se trotuaret janë shkret dhe kalohet me shumë vështirësi.

“Trotuaret shkret, na secili po mundohemi mi pastrua oborret e mi qit borën në rrugë. Kështu që nuk kalohet hiq”, tha ai.

Esat Kelmendi thotë se trotuaret nuk janë të pastruara fare dhe ai thotë se rrugë pa trotuare vetëm në kryeqytetin tonë sheh.

“Trotuaret nuk janë të pastruara fara dhe rrugë pa trotuar vetëm këtu në kryeqytetin tonë sheh. Mundeni me ardh me pa në rrugën ‘Shaqir Igrishta’, me pa çfarë rrugë është, as nuk bien zhavorr as kurrgjë, donë edhe qentë endacak me i tranu fëmijët. Fëmija në shkollë gjithë na me telashe jem, me qit fëmijën me këqyr mos pi dalin qentë. Ky Shpendi premtime plot, por puna po doket vëlla. Se di çka me thanë, na jem si lagje e Afrikës. Mos më keqkupto po jemi në gjendje të keqe, rrugë pa trotuar nuk di qysh kanë mëndu këta. A kanë me jetua njerëzit këtu a kush”, tha Kelmendi.

Edhe shefi i emergjencave, Ibush Kelmendi, thotë se prioritet i është dhënë pastrimit të rrugëve, por që nga dita e hënë pjesa dërrmuese e trotuareve janë të pastruara.

“Është e vërtetë që fillimisht ne ju kemi dhënë shumë prioritet rrugëve, për shkak se qytetarët kanë nevoja të ndryshme për të kryer, qoftë për furnizim, qoftë për ndonjë ndihmë tjetër mjekësore, ju kemi dhënë përparësi rrugëve. Mirëpo, qysh të premten e kaluar i kemi urdhëruar të gjitha kompanitë që janë për mirëmbajtje qoftë në pjesën urbane, qoftë në pjesën rurale që me e shtu efikasitetin, me shtu vëllimin e punës në trotuare dhe në hyrje para objekteve shkollore. Nga e hëna pjesa dërrmuese e trotuareve dhe hyrjet para shkollave, besa edhe oborret e shkollave i kemi pastruar me kompanitë. ”, tha ai.

Kelmedni tha se një problem që është hasur gjatë pastrimit të trotuareve, është numri i madh i veturave që gjenden nëpër trotuare dhe në këtë mënyrë kompanitë e kanë pasur të pamundur të pastrojnë borën.

Ndërsa, gjatë periudhës 18 ditore në Kosovë nuk është shënuar asnjë aksident me pasoja fatale. Këtë e bënë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Ai tha se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 224 aksidente që kanë rezultuar me lëndime të personave të përfshirë në komunikacion rrugor dhe 683 aksidente vetëm me dëme materiale.

“Sa i përket periudhës 18 ditore apo gjerë më sot mund të iu them që fatmirësisht nuk është evidentuar asnjë aksident me pasoja fatale, pra, kjo ka qenë njëra ndër objektivat kyçe të Policisë së Kosovës që të parandalojnë aksidentet me pasoja fatale, të ruajmë jetën e qytetarëve që janë në komunikacion rrugor, ndërsa janë evidentuar diku rreth 224 aksidente që kanë rezultuar me lëndime të personave të përfshirë në komunikacion rrugor, qoftë në cilësinë e ngasësit të automjetit, pasagjerit apo edhe të këmbësorëve. Si dhe janë evidentuar 683 aksidente që kanë rezultuar vetëm me dëme materiale, pra me dëme të shkaktuara kryesisht në automjete”, tha ai.

Kurse, në qendrën emergjente të QKUK-së kanë kërkuar ndihmë mjekësore më tepër se 95 persona, të cilët kanë pësuar lëndime të sistemit ostromuskuar si pasojë e rrëzimit apo rrëshqitjes.

Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente, thotë se në kohët e fundit kanë zvogëlim të numrit të të lënduarve në komunikacion, por kanë ngritje të të lënduarve që kërkojnë shërbime emergjente për shkak të lëndimeve të sistemit ostromuskular.

“Por ngritjen e të lënduarve të cilët kërkojnë shërbime emergjente mjekësore janë ato lëndime të sistemit ostromuskular, zakonisht persona të cilët dalin për ti kryer obligimet, detyrimet qoftë familjare, shtëpiake apo detyrimet zyrtare, si pasoj e rrëzimit apo rrëshqitjes dhe zakonisht lëndimet e tilla janë kryesisht lëndime të ekstremiteteve të sipërme, ekstremiteteve të poshtme dhe të pjesës së belit. Prej numrit të gjithmbarshëm të cilët kanë kërkuar ndihmë apo shërbime emergjente brenda 48 orëve në kliniken tonë kanë kërkuar më tepër se 95, si pasoj e lëndimeve ostromuskulare, prej tyre 80 përqind i takojnë lëndimeve të lehta, ndërsa, 20 përqind janë lëndime mesatarisht të cilët kanë kërkuar tretman të mëtutjeshëm në Qendrën, gjegjësisht në ortopedi për trajtim të mëtutjeshëm”, tha ai.

Edhe në ditët në vazhdim në vendin tonë do të ketë mot kryesisht të vranët dhe me reshje të borës, të cilat fillimisht do ta përfshijnë veriun e vendit dhe më tej gjithë territorin.

Reshjet më intensive sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës parashihen të jenë në veri-perëndim të vendit dhe në jug-perëndim, por edhe pjesë tjera do të kenë reshje por të intensitetit më të ulët. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të shënojnë vlerat nga -6 deri -4 gradë Celsius, kurse temperaturat maksimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriu dhe verilindja me shpejtësi nga 2-9m/s./KP/