Gjermania ka dërguar 1000 armë anti-tank dhe 500 raketa të tipit “Stinger”. Ato, siç raportojnë mediat gjermane, kanë mbërritur sot në Ukrainë.
Cilat janë këto armë?
FIM-92 Stinger: Arma 1.5 metra e gjatë mund të përdoret për gjuajtjen e objektivave në largësi deri në gjashtë kilometra. Sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, “FIM-92” është i pajisur me një sistem udhëzues që përdor sinjalet infra të kuqe dhe ultravjollcë.
Pas shkrepjes, raketa fluturon automatikisht drejt objektivit nëse nuk merr goditje gjatë rrugës.
Panzerfaust 3: Është një bazukë gjermane anti-tank. Ajo është prodhuar më 1978. Me të, ushtarët mund të godasin objektivat në një distancë prej 300 deri në 400 metra. 400 armë të këtij lloji do t’i dërgojë edhe Holanda në Ukrainë.
Pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, Gjermania ka rishikuar politikën e saj të sigurisë dhe mbrojtjes. Edhe gjermanët gjithashtu kanë ndryshuar masivisht qëndrimin e tyre për politikat e mbrojtjes.
Tre nga katër veta në Gjermani i kanë mbështetur dërgesat e armëve gjermane në Ukrainë, si dhe rritjen e buxhetit të Gjermanisë për ushtrinë e saj, tregon një anketë e porositur nga televizioni RTL. /Paparaci.com