[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Mbahet takimi i parë i Ekipit Koordinues për monitorimin e zbatimit të Programit kombëtar për zbatimin e MSA-së



Nën organizimin e Ministrisë së Financave është mbajtur sot takimi i parë i Ekipit Koordinues  për monitorimin e zbatimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2017, i cili është i themeluar me Vendimin e ministrit të Financave Avdullah Hoti më 24 janar 2017.

 

Në bazë të Vendimit të Qeverisë Nr.06/22 për Inicimin e Programit të PKZMSA,  Ministria e Financave  është institucioni përgjegjës për 9 kapituj të PKZMSA.

 

Në këtë takim, ministri i Financave Avdullah Hoti kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha institucionet relevante në zbatimin e  masave të përcaktuara në 9 kapituj përkatës të PKZMSA-së.

 

“Rëndësia e zbatimit të këtij Programi qëndron në faktin se adreson zbatimin e obligimeve të dala nga Marrëveshja e parë Kontraktuale e Kosovës me BE-në – Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA)”, shtoi Ministri Hoti.

 

Ai gjithashtu kërkoi që me rastin e takimeve të Nën Komiteteve të Stabilizim Asociimit, Institucionet relevante të rrisin nivelin e bashkëpunimit ndër institucional në mënyrë që ti paraqesin sa më mirë të arriturat dhe sfidat në fushën e zbatimit të MSA-së.

 

Sipas, Ministrit Hoti ky përkushtim duhet të jetë i vazhdueshëm edhe pas takimeve të nën komiteteve me qëllim që konkluzionet e dala nga këto takime të adresohen.

 

Ministri Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se ekipi teknik do të jetë aktiv në përgatitjen e analizave dhe raporteve të zbatimit të PKZMSA, në mënyrë që sfidat e identifikuara të paraqiten në Ekipin Koordinues i cili do të marrë vendime për masa konkrete për tejkalimin e ngecjeve të identifikuara.