[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Malishevë: Ka filluar realizimi i disa projekteve



Malishevë, 13 shkurt

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, si çdo të hëne, ka mbajtur edhe sot mbledhjen e rregullt të qeverisë komunale, ku drejtorët e drejtorive, kanë prezantuar punën dhe aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar, si dhe planifikimet për javën në vijim. Në këtë mbledhje u bë e ditur se kanë filluar të realizohen disa projekte, ndërsa janë bërë edhe përgatitjet për shënimin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Fillimisht në mbledhjen e sotme, kryetari Begaj, ka kërkuar angazhim shtesë nga drejtoritë, pasi vitin 2017 e ka vlerësuar si një vit të ngarkuar me projekte,  dhe kërkoi nga drejtorët e drejtorive, realizimin e plotë të planifikimeve të tyre për këtë vit.

Gjatë raportimeve të drejtorëve të drejtorive komunale, u bë e ditur se janë bërë përgatitjet për shënimin e 9 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku aktivitetet kryesore do të jenë më datë 17 shkurt, si mbledhja solemne, homazhet dhe nderimet në vendet e caktuara, finalet në organizimet sportive, si dhe koncerti tradicional. Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Blerta Krasniqi, tha se “aktivitetet do të mbahen në harmoni me agjendën shtetërore për shënimin e 9 vjetorit të shtetësisë së Kosovës”.

Duke folur për realizmin e projekteve, drejtori për urbanizëm, Ahmet Morina, ka deklaruara se kanë filluar me realizimin e një projekti për ndërtimin e një trotuari në fshatin Carrallukë, si dhe me ndërtimin e dy rrugëve në Bellanicë. Ndërsa drejtori për bujqësi, Murat Hoxha, tha se janë në përfundim të procedurave për realizimin projektit për ndërtimin e serrave, si dhe të projekteve tjera në fushën e bujqësisë.

Në fushën e shëndetësisë, drejtori për shëndetësi, Hajdin Berisha, ka deklaruar se “brenda këtij muaji, pritet të filloj implementimi i projektit me Ministrinë e Shëndetësisë, për programin e SISH-it, ku nga tani do te filloj futja në sistem e vizitave shëndetësore”. Berisha, bëri të ditur se janë përgatitur edhe për sezonin e fushatave të vetëdijesimit, dezinsektimit dhe repelimit, si masa parandaluese ndaj EHKK.

Sa i përket arsimit, sipas drejtorit të arsimit, Avdi Morina, duke u bazuar në raportin e punës për vitin e kaluar, është shënuar rritje në suksesin e treguar nga nxënësit, si dhe është shënuar një ulje e mungesave nga nxënësit, kjo falë masave të ndërmarra nga ana e drejtorisë. “ Shqetësuese për neve si drejtori është rritja e rasteve të migrimit të nxënësve, pasi kjo dukuri është çdo ditë e më e theksuar”, tha Morina.

Në fushën e financave, drejtori për financa, Vesel Krasniqi, tha se “në bazë të raportit financiar, gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje të të hyrave vetanake, por këtë vit, kjo rritje duhet të jetë edhe më e madhe dhe për këtë janë të përkushtuar si drejtori”.