Analisti Agon Maliqi ka thënë se me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe duhet të merret një qeveri që do të krijohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit pasi kjo është një pengesë për integrimin euroatlantik të Kosovës.
“Mendoj se qeveria e Kosovës, ndoshta jo kjo, do të duhet të merret me të sepse është një pengesë kryesore për integrimin euroatlantik të Kosovës” ka thënë Maliqi në emisionin “Most” të Radios Evropa e Lirë.
Fatkeqësisht, kjo qeveri ka krijuar besimin në opinion se ne nuk mund t’i përmbushim obligimet e dakorduara, edhe pse ajo vetë e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit. Megjithatë, kushdo që vjen në pushtet pas zgjedhjeve të shkurtit, do të duhet të merret me këtë çështje – qoftë qeveria e Kurtit, koalicion i Kurtit me një parti apo koalicion i opozitës aktuale” ka vlerësuar Maliqi.
“Do të duhet të fillojë me zbatimin e pjesës së marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për të eliminuar pengesën kryesore për integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Kjo nënkupton jo vetëm pranimin në Këshillin e Evropës, por edhe garancinë se Kosova do të njihet nga pesë anëtarët e Bashkimit Evropian që nuk e njohin tani” ka shtuar ai.
Sipas tij, në Kosovë ka konsensus të përgjithshëm se Asociacioni i Komunave Serbe është karta e fundit që Kosova ka për të marrë një perspektivë të qartë euroatlantike pas pavarësimit në vitin 2008.
“Kosova nuk do ta shpenzojë këtë biletë të fundit pa garanci të forta”, ka vlerësuar Maliqi.