[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Lutfi Haziri nuk do të rikandidojë për kryetar të Gjilanit



Është mandati i tij i fundit si kryetar i komunës së Gjilanit. Thotë se i ka dhënë mjaftë shumë gjilanasve. Përkushtimin e tij politik pritet ta vazhdojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës në qendër. Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit në një intervistë për Indeksonline flet edhe për koalicionin qeverisës LDK-PDK, duke thënë deri tani ka funksionuar mirë dhe kjo është hera e parë që LDK udhëheqë me qeverinë. Haziri tregon për progresin e shënuar gjatë këtij vitit në disa fusha dhe për sfidat e vitit të ardhshëm.

Viti 2016 ishte vit me plot zhvillime. Cili është vlerësimi juaj për këtë vit për sa i përket zhvillimeve politike në vend?

Haziri: Ky vit shënon një progres sa i përket disa parametrave për zhvillim ekonomik në krijimin e  ambientit dhe në krijimin e hapësirave dhe lehtësimeve fiskale, kushte më të mira për zhvillim në përgjithësi. Edhe raportet ndërkombëtare e kanë ranguar Kosovën, tashmë në krahasim me vendet e regjionit dhe vendet tjera, në pozitë shumë të mirë. Sa i përket çështjeve të sigurisë dhe çështjeve tjera në përgjithësi, Kosova po shënon progres, përveç ngecjes së ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, e cila po kushton me liberalizimin e vizave. Kjo sfidë e shkaktuar nga ana e opozitës po vazhdon ta rëndoj jetën politike edhe më tutje në Kosovë.

Si është duke funksionuar koalicioni PDK-LDK?

Haziri: Deri tani ka funksionuar mirë. Ne për herë të parë udhëheqim Qeverinë dhe e kemi dëshmuar dinamikën, angazhimin, profesionalizmin dhe zhvillimin ekonomik. Në anën tjetër korrektësi me partnerët qeverisës. Të gjithë e kuptojnë sa vështirë është të udhëheqësh me vendin, por ia kemi borxh po aq sa ja kemi borxh lirinë Kosovës dje, sot, ja kemi borxh zhvillimin e saj, integrimet euroatlantike dhe liberalizimin e vizave

Janë rritur zërat për zgjedhje të parakohshme dhe  thuhet se vetëm LDK po i druhet një procesi zgjedhor. Sa është e vërtetë një gjë e tillë?

Haziri: Kjo nuk qëndron fare. Në asnjë mënyrë LDK nuk i frikësohet votës qytetare sepse partia e Ibrahim Rugovës legjitimitetin e saj politik e ka kërkuar edhe në vitin 1991, 1992, 1998, edhe menjëherë pas luftës në vitin 2000 dhe kemi vazhduar të besojmë si parti e vetme, ndoshta, që zgjedhjet janë ato që e ndërtojnë shtetin dhe legjitimitetin e përfaqësimit politik. Por nuk besojmë që qytetarët e Kosovës është e nevojshme t’i nxjerrim në zgjedhje sa herë që dikush ka nevojë me dalë në zgjedhje dhe sa herë që dikujt i teket për t’i tejkaluar barrierat e vogla politike.

Sa ka ndikuar mos-ratifikimi i demarkacionit në mos-liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës?

Haziri: Është e ditur botërisht që ratifikimi i demarkimit të kufirit me Malin e Zi ka qenë kusht për liberalizimin dhe mos përmbushja e këtij kushti e stopoi këtë proces. Lirisht mund të them se fajtor për këtë janë të gjithë ata deputetë që po e pengojnë edhe nuk po marrin pjesë në atë proces. Bile të barabartë janë në moskrijimin e kushteve që ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi të përmbyllet dhe ky kusht i rëndë të largohet, në mënyrë që Parlamenti Europian t’i rekomandojë përfundimisht Këshillit të Minsitrave që Kosova të jetë përfituese në këtë proces.

Sipas jush cilat janë sukseset dhe sfidat më të mëdha të Qeverisë së Kosovës?

Haziri: Përfundimisht, ky vit shënon një progres sa i përket disa parametrave për zhvillim ekonomik në krijimin e  ambientit dhe në krijimin e hapësirave dhe lehtësimeve fiskale, kushte më të mira për zhvillim në përgjithësi. Edhe raportet ndërkombëtare e kanë ranguar Kosovën, tashmë në krahasim me vendet e regjionit dhe vendet tjera, në pozitë shumë të mirë. Sa i përket çështjeve të sigurisë dhe çështjeve tjera në përgjithësi, Kosova po shënon progres, përveç ngecjes së ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, e cila po kushton me liberalizimin e vizave.

E kanë akuzuar LDK-në se buxhetin e vitit 2017 e ka orientuar tek komunat dhe agjensionet qe udhëheq kjo parti. Si i keni parë këto akuza?

Haziri: Janë akuza të paqëndrueshme sepse me buxhetin e qeverisë kanë përfituar të gjithë qytetarët e Republikës. E kanë përmendur Gjilanin sa i përket orientimit të investimeve të mëdha të qeverisë për vitin e ardhshëm, por mendoj se kanë bërë gabim. Gjilani ka qenë komunë e anashkaluar totalisht nga kujdesi i qeverisë dhe unë jam i lumtur që ia kam kthyer këtë kujdes. Gjilani në vitin e ardhshëm i ka hiç më pak se 29 milionë euro investime publike dhe jam shumë i lumtur për këtë.

Ku mendoni se duhet të jetë fokusi i qeverisë gjatë vitit të ardhshëm?

Haziri: Duhet të vazhdohet të punohet me dinamikë edhe më të madhe për zhvillim ekonomik në krijimin e  ambientit dhe në krijimin e hapësirave dhe lehtësimeve fiskale dhe vazhdimin e lehtësimit të të bërit biznes.

Qeverisja juaj në Gjilan ka vetëm edhe një vit mandat, çfarë mendoni të realizoni përgjatë këtij viti të mbetur?

Haziri: Tre vite më parë, unë e kam marrë mandatin e kryetarit të Komunës me veç 3.8 milionë euro investime, ndërkaq në vitin e ardhshëm janë hiç më pak se 29 milionë euro investime publike. Në vitin 2017, Komuna e Gjilanit do të investoj në ndërtimin e dy shtretërve të lumit “Mirusha” dhe “Stanishorka”, pastaj hyrje-daljet Gjilan-Prishtinë, Gjilan-Ferizaj, sikur edhe në përmbylljen e investimeve në ndërtimin e rrugëve në qytet dhe fshatra, kanalizimeve, rrjetit të ujësjellësit e ndriçimit. Ajo për të cilën e kam marrë mandatin po realizohet qind për qind. Pra, përfundimisht po hiqet lloçi e vadat.

A keni plan të kandidoni sërish për kryetar të Gjilanit?

Haziri: Ky është mandati i tretë i imi në cilësinë e kryetarit të Komunës. Mendoj se i kam dhënë mjaftë shumë gjilanasve. Nuk do të rikandidoj për kryetar, definitivisht. Ajo për të cilën e kam marrë mandatin është realizuar, madje janë tejkaluar parashikimet. Gjilani sot nuk është më qytet i harruar e anashkaluar sa u përket investimeve. Tashmë, kam arritur që Gjilanit t’ia rikthej partneritetet ndërkombëtare dhe jam shumë i lumtur për këtë.

:Ku mendoni se janë bërë investimet më të mira në Gjilan, dhe cilat janë sfidat që vazhdoni të përballeni në mandatin e juaj?

Haziri: Kemi investuar shumë në ndërtim të infrastrukturës bazike, kemi subvencionuar bujqit e Gjilanit, që është jetike për zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë në përgjithësi, kemi krijuar lehtësira në të bërit biznes, lehtësira për ndërtimet e reja dhe Gjilani i Ri ka qenë kantier i ndërtimit. Kemi investuar në ngritjen e  cilësisë në arsim, ndërtim të çerdheve të reja, renovim të shkollave, ambulantave, ndërtim  të parqeve të reja etj., dhe me dinamikë edhe më të madhe do ta vazhdojmë t’i problemet e qytetarëve në këto fusha.