Kryeministri Kurti kishte deklaruar se kishte rrezik për konflikt të armatosur me Serbinë javën e kaluar duke nxitur reagime të ashpra. Këtë deklaratë, Sami Lushtaku njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cilësoi si tentim shmangie e problemeve reale të qeverisjes së Kurtit, transmeton Gazeta Botapress.
“Rreziku që të shpërthejë një konflikt i ri midis Kosovës dhe Serbisë është i lartë”, kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka nxitur reagime të mëdha në opinionin publik.
Liderë të partive opozitare, dhe jo vetëm kanë kritikuar shefin e ekzekutivit për këtë qasje.
Por, si e vlerëson këtë deklaratë, Sami Lushtaku njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lushtaku i ka thënë Indeks Online ka thënë se Kurti këtë deklarim e bën për të larguar vëmendjen, sipas tij, nga dështimi i tij në qeverisje. Nënkryetari aktual i Skenderajt, thotë se Albin Kurti nuk duhet të flas për rrezikun, por të përgatitet për rrezikun
“Rreziku nga Serbia është i vazhdueshëm, por Kurti e përdor kur t’i duhet. Me largu vëmendjen nga dështimi i tij në aspektin ekonomik, politik e diplomatik. Albini nuk duhet me fol për rrezikun, por duhet me u përgatite për rrezikun. Ne ia kemi tërheq vërejtjen edhe më herët, ai duhet ti mendoj të gjitha variantet e mundshme, sepse e kam thanë edhe më herët, rreziku nga Serbia është i vazhdueshëm”, ka thënë Lushtaku.
Më tutje, ai ka thënë se që nga ardhja e liderit të VV-së në krye të Qeverisë nuk ka ardhur asnjë njohje e re për Kosovën.
“Zhvillimi ekonomik është për keqardhje. Gjithçka është bllokuar deri më tani. Nuk ka asnjë lëvizje pozitive në aspektin ekonomik dhe infrastrukturor. Nuk e di çka është punohet në Kosovë”, ka theksuar Lushtaku.
Ka pasur reagime edhe nga sipërmarrës dhe shoqata biznesi që kanë kritikuar deklaratat e kryeministrit Kurti si të pamatura dhe të dëmshme sa i përket investimeve të huaja, mes tjerash./Botapress.info/