Lista Guxo në Istog po synon që t’ia imponoj Lëvizjes Vetëvendosje kandidatin e saj për kryetar të komunës së Istogut.
Xhevat Demaj, koordinator i kësaj Listë në Istog ka thënë se tanimë i kanë bërë ofertë zyrtare Vetëvendosjes në Istog që kandidati i përbashkët për kryetar të kësaj komunë të jetë propozim nga radhët e Listës Guxo.
“Jemi në bashkëpunim me Vetëvendosjen. Por, interesat janë edhe të Listës Guxo edhe të Vetëvendosjes kush me pas kandidatin për kryetar. Ne duam ta kemi kandidatin. Ne kemi bisedu me ata. Topi është në anën e tyre. Ne ua kemi bërë ofertën. Ne kemi vota më shumë se ata. Jemi më të fuqishëm”, ka thënë Demaj.
Ai ka thënë se bashkërisht mund të bëjnë ndryshime. Në rast se marrëveshja nuk arrihet, atëherë ai nuk beson se do t’i bashkëngjiten dikujt tjetër.
I pyetur se a mund të rikthehen në LDK, ai ka thënë se fillimisht partia e Lumir Abdixhikut duhet të reformohet. Demaj thotë se është rugovist dhe se do që Istogu të bëhet një komunë funksionale e në shërbim të qytetarëve.
Gjatë ditëve të fundit janë raportuar për disa pakënaqësi të Listës Guxo në degët si Ferizaj, Gjakovë, Kllokot dhe Vushtrri.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor dhe partitë janë në fazën finale të prezantimeve të kandidatëve për kryetare të komuanve./Botapress/