[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ligji për FSK-në shqyrtohet në komision parlamentar, Presidenti vendos nëse do ta tërheqë



Projektligji për FSK-në do të procedohet në Kuvend, pavarësisht shmangieve ligjore që Kryesia bëri kur atë ia dërgoi Komisionit Parlamentar.

Kreu i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se Kryesia vetëm e ka dërguar Projektligjin në Komision, pa sqaruar se çka duhet të bëhet me të.

 

Ai ka kërkuar nga anëtarët e Komisionit që të marrin një vendim për këtë çështje, e që u vendos që ai të shqyrtohet nga ky komision. Haradinaj i ka rikujtuar presidentit Thaçi që mund të tërheqë projektligjin pas leximit të parë.

 

Deputeti i “Vetëvendosjes”, Rexhep Selimi, tha se Presidenti nuk ishte i sinqertë me kërkesën e tij, dhe ka kërkuar që projektligji të mos ndalet nga Komisioni, por për këtë të vendosin vetë deputetët e Kuvendit.

 

Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe deputeti i PDK-së, Fatmir Shurdhaj.

 

Komisioni do të mblidhet brenda afatit ligjor për të shqyrtuar atë.

 

Kujtojmë se këtë formë të shndërrimit të FSK-së në ushtri, të cilën e kishte propozuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e kanë kundërshtuar SHBA-ja dhe NATO. /ktv/