Një nga rajonet që ka pasur vëmendje të madhe gjatë fushatës presidenciale ka qenë Lindja e Mesme, shkaku i luftës në Gazë dhe tensioneve mes Izraelit dhe Iranit e Libanit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e quajti fitoren e Trumpit një rikthim historik për ish-udhëheqësin amerikan dhe një fillim të ri për aleancën SHBA-Izrael.
“Urime për rikthimin më të madh në histori! Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një angazhim të fuqishëm për aleancën e madhe midis Izraelit dhe Amerikës. Kjo është një fitore e madhe!” tha Netanyahu në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se shpreson që administrata e re e SHBA-së të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së Palestinës.
“Në këtë periudhë të re që do të nisë me zgjedhjen e popullit amerikan, shpresoj që marrëdhëniet turko-amerikane të forcohen, që krizat dhe luftërat rajonale dhe globale, kryesisht çështja e Palestinës dhe lufta Rusi-Ukrainë, të mbarojnë; besoj se do të bëhen më shumë përpjekje për një botë më të drejtë”, tha Erdogan.
Gatishmëri për bashkëpunim shprehu edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili uroi për më shumë paqe dhe prosperitet.
“Urime, President Donald Trump. Gati për të punuar së bashku ashtu siç dinim të bënim për katër vjet”, shkroi Macron në X.
Liderët e Bashkimit Evropian – presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola – iu bashkuan thirrjeve të Macronit për bashkëpunim.
“BE-ja dhe SHBA-ja janë më shumë se thjesht aleatë. Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë midis popujve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Prandaj, le të punojmë së bashku për një agjendë të fortë transatlantike që vazhdon t’u sjellë përfitime atyre”, shkroi von der Leyen.
Ndërsa, Michel tha se “BE-ja do ta ndjekë rrugën e saj në përputhje me agjendën strategjike si një partner i fortë, i bashkuar, konkurrues dhe sovran, ndërsa mbron sistemin multilateral të bazuar në rregulla”.
Edhe Metsola tha se Evropa është e gatshme për bashkëpunim me SHBA-në “teksa adresojmë sfida të paprecedenta gjeopolitike”.
Kryeministrja e krahut të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni, e përgëzoi Donald Trump-in dhe tha se ky rezultat do të forcojë lidhjet midis dy vendeve.
Në një postim në X, Meloni i ofroi Trump-it “përgëzimet më të sinqerta” dhe tha se Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një “aleancë të patundur”.
“Është një lidhje strategjike, të cilën jam e sigurt se do ta forcojmë edhe më shumë tani”, tha ajo.
Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, iu bashkëngjit urimeve për Trumpin dhe tha se pret të punojë me të.
“E di se marrëdhënia speciale mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së do të vazhdojë të përparojë në të dy anët e Atlantikut për shumë vite që do të vijnë”, tha Starmer në X.
Rusia tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë në nivelin më të ulët historik, por se Kremlini është i hapur për dialog dhe do të shohë se çfarë do të ndodhë nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë plani të presidentit Vladimir Putin për ta uruar Trumpin.
“Le të mos harrojmë që po flasim për një shtet armiqësor, që është përfshirë drejtpërdrejt dhe tërthorazi në një luftë kundër shtetit tonë,” tha ai, duke iu referuar mbështetjes amerikane për Ukrainën.
Kur u pyet nëse marrëdhëniet do të përkeqësoheshin edhe më shumë nëse Putin do të refuzonte ta urojë Trumpin, ai tha: “Është pothuajse e pamundur t’i përkeqësojmë ato më tej, marrëdhëniet janë në pikën e tyre më të ulët historike. Çfarë do të ndodhë më pas do të varet nga udhëheqësia e re e SHBA-së”.
Përderisa rezultatet filluan të anonin në favor të Trump-it, Kina tha se shpreson për një “bashkëjetesë paqësore” me Shtetet e Bashkuara.
“Ne do të vazhdojmë t’i qasemi dhe trajtojmë marrëdhëniet Kinë-SHBA mbi bazën e parimeve të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitim të përbashkët,” tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme Mao Ning në një konferencë të rregullt për shtyp.
“Ne e respektojmë zgjedhjen e popullit amerikan”.