Pothuajse të gjitha vendet anëtare të QUINT’it kanë reaguar pozitivisht ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta hequr ndalesën për mallrat e Serbisë të cilat fillimisht do të hyjnë vetëm përmes një pike kufitare, asaj në Merdare. Në këtë mënyrë është përmbushur kërkesa e Gjermanisë e cila ka negociuar një pako që Kosova të përfaqësohet me asterisk(*) në CEFTA dhe nga aty të largohet UNMIK.
Kosova u bë anëtare fuqiplotë e CEFTA-s në korrik të vitit 2007, tetë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për anëtarësim. Kjo marrëveshja u nënshkrua nga UNMIK-u në emër të Kosovës si autoriteti i vetëm i cili kishte të drejtë ta përfaqësojë Kosovën në marrëdhëniet me jashtë atë kohë. Që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot nuk u arrit që Kosova të përfaqësohej vetë në këtë mekanizëm.
Qeveria e Gjermanisë shpeshtoi përpjekjet e saj për ta bindur Qeverinë e Kosovës që të hiqte një ndalesë ndaj mallrave serbe, e cila u vendos qershorin e vitit të kaluar si përgjigje e Kosovës ndaj arrestimit të tre policëve kufitarë nga forcat serbe.
Megjithatë, që bindja të jetë më e lehtë, gjermanët i propozuan një marrëveshje Kurtit – heqja e ndalesës do t’i mundësonte Kosovës të përfaqësohej vetë pa UNMIK-un, por me asterisk.
Ambasada gjermane në një përgjigje për Gazetën Express në shtator kishte treguar se çka përmban oferta e tyre për Kosovën krahas pasojës që mund ta ketë nëse s’e pranon paketën.
“Kjo përfshin zhbllokimin e vendimmarrjes së CEFTA-s. Gjermania ka negociuar një marrëveshje paketë për të hequr UNMIK-un nga vendimmarrja e CEFTA-s, në mënyrë që Kosova të përfaqësojë vetveten. Në të njëjtën kohë, Kosovës i kërkohet të heqë ndalimin e importit të mallrave nga Serbia. Nëse një zgjidhje për CEFTA-n bëhet e pamundur nga Kosova, atëherë do të ndodhë pa të. Do të jetë vendimi i Kosovës në cilat pjesë të bashkëpunimit rajonal do të vazhdojë të marrë pjesë”.
Qeveria e Kosovës dje njoftoi se pranoi këtë propozim dhe mori vendimin që të lejojë hyrjen e mallrave serbe.
Kryeministri Albin Kurti, që insistoi të tregonte se arsyeja e kësaj ndalese që u konsiderua kundër frymës së tregtisë së lirë ishte masë sigurie dhe jo ekonomike apo tregtare, tha se tash ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar.
“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare… ne besojmë që ndryshimi i masës është më se i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë”, tha Kurti.
Ndalesa u hoq vetëm në pikën kufitare të Merdares, ndërsa e plotë do të zbatohet kur partnerët do t’ia sjellin Kosovës skanerët që do të mundësojnë një kontroll më të rreptë të mallrave që hyjnë nga Serbia.
Vendimin e pjesshëm të Qeverisë e mirëpriti Gjermania. Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, tha se do t’i ndihmojnë Kosovës në adresimin e shqetësimeve të sigurisë.
“E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hapur pikën kufitare të Merdares për mallrat që vijnë nga Serbia. Ky [vendim] shënon një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do të mbështesim Kosovën për të siguruar plotësimin e nevojave të sigurisë dhe monitorimin e proceseve në pikën kufitare”.
Sidoqoftë, që kjo të ndodhte emisarit gjerman, Manuel Sarrazin, i ra të vijë shpesh në Prishtinë për të bindur si krerët ashtu edhe opinionin se nga një treg i përbashkët rajonal përfitojnë vetë qytetarët e Kosovës.
Në fund të gushtit Sarrazin qëndroi në zyrën e kryeministrit Kurti ku prezente ishte edhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Nga njoftimi i ZKM-së nuk u dha shumë detaje se çfarë u fol veçse përgatitjet për samitin e Procesit të Berlinit ishin pjesë e bisedës mes tyre.
Më 5 shtator ishte ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili tregoi se Sarrazin erdhi prapë në Prishtinë, por se s’kishte sukses në bindjen e Kurtit për të hequr këtë masë. Rohde tha se do të ecet përpara edhe pa Kosovën, duke paralajmëruar për rrezikun e përjashtimit.
“Manuel Sarrazin vizitoi Kosovën përsëri për të nxitur Albin Kurtin për të bërë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kryesore për qytetarët kosovarë, duke zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bord – [por] pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën tani për tani, për të vazhduar me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”, kishte thënë atëherë Rohde.
Me CEFTA-n ishte marrë edhe ministrja gjermane e Shtetit për Europën, Anna Luhrmann, e cila ishte në Prishtinë gjatë shtatorit.
“Mirënjohëse për diskutimet e hapura në Kosovë, përpara takimeve të këtij 10-vjetori të Procesit të Berlinit. Ia bëra të qartë Qeverisë se ne i bëjmë thirrje Kosovës të bëjë të mundur zhbllokimin e CEFTA-s dhe të lejojë avancimin në Tregun e Përbashkët Rajonal për të sjellë përfitime konkrete për njerëzit në Kosovë”, shkroi ajo në “X” atë kohë.
Por, duket se ardhja e fundit në fillim të këtij muajit e Sarrazinit në Prishtinë, i cili u prit nga zëvendësi i Kurtit Besnik Bislimi meqë vetë kryeministri ishte jashtë shtetit, i vuri gjërat në lëvizje.
Ai mbajti një fjalim në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar mbi situatën tregtare të Kosovës aktualisht dhe për dëmet që i bëhen Kosovës në rast se mbet jashtë CEFTA-s.
“Për t’u treguar shumë i sinqertë, sot shumë prej investitorëve shkojnë në Serbi derisa duan të investojnë në Serbi dhe të bëjnë biznes me tërë rajonin. Le ta ndryshojmë këtë. Le t’ju tregojmë investitorëve gjermanë që ju investoni në Kosovë dhe ne bëjmë një treg të përbashkët rajonal që e bën të mundshme që prej këtu ju mund të keni sukses në rajon”.
Ai tha se kjo është ideja që ata e shtyjnë përpara dhe se kjo qasje ndihmon rrugën drejt BE-së.
“Ju po vuani nga problemet dhe ju do të jeni përfituesit më të mëdhenj nga tregu i përbashkët. Nuk është e lehtë që të kuptosh”.
“Ne e duam Kosovën në këtë rrugë. Ne po punojmë për këtë”, tha Sarrazin para se të hynte në një takim me Bislimin.
Ky i fundit pas takimit iu tha gazetarëve se folën për futboll me Sarrazinin, ndërsa pas insistimeve të mediave e pranoi që kishin folur edhe për CEFTA-n.
Që nga 15 qershori kur Qeveria e Kosovës mori vendimin për ndalimin e mallrave serbe, nga Serbia në Kosovë hynë vetëm lëndë e parë dhe gjysmë-produkte të nevojshme për prodhimin final, siç kishte deklaruar Dogana e Kosovës.
Në vitin 2012, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Brukseli Kosova arriti Marrëveshjen për Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin Rajonal që mundësonte pjesëmarrjen e Kosovës në organizata rajonale, duke i mundësuar asaj që të përfaqësohej me fusnotë si “Kosova*” dhe të zëvendësojë UNMIK-un.
Ndonëse në disa nisma rajonale kjo u zbatua, në CEFTA nuk u ndryshua përfaqësimi për shkak se tri shtetet anëtare të CEFTA-s, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia, refuzojnë përfaqësimin e plotë të Kosovës në CEFTA.