Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit u bë e ditur se më 28 prill do të ketë seancë plenare, ku në rend të ditës do të jetë edhe themelimi i komisionit hetimor parlamentar për energjinë.
Në këtë seancë pritet të marrin pjesë edhe partitë opozitare, të cilat dy ditë më parë, kanë braktisur punimet e Kuvendit të Kosovës, dhe kanë paralajmëruar bojkotim të punës së Kuvendit.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë për Indeksonline se LDK do të marrë pjesë në këtë seancë për t’i dhënë mbështetje formimit të këtij komisioni.
Kjo seancë do të mbahet me propozim të 40 deputetëve për Komisionin Hetimor.
Sa i përket deklaratave të ministres Albulena Haxhiu në drejtim të tij, shefi i deputetëve të LDK-së ka thënë se nuk i ka parë dhe se nuk i duket interesant ajo për t’i komentuar.
Albulena Haxhiu kishte thënë për Gashin se është një zë bajat në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij.
Kujtojmë se një ditë më parë dështoi mbajtja e tre mbledhjeve të komisioneve, kjo sepse deputetët e opozitës bojkotuan këto tre komisione.
Lëvizja Vetëvendosje si partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës po pretendon se më këtë formacion aktual po bllokohet krijimi i këtij komisioni.