[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

LDK lëvdon Mustafën: Rrëzimi i murit pasqyron lidership të guximshëm



Lidhja Demokratike e Kosovës ka përshëndetur rrëzimin e murit në veri të Mitrovicës sot, duke e quajtur zhvillim pozitiv.

LDK vlerëson se ky veprim paraqet hapin e radhës, në drejtim të konsolidimit të sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe forcimin e sovranitetit institucional në Kosovë.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, zhvillimi i sotëm është vazhdimësi e angazhimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe institucioneve tjera qendrore, që reflektojnë lidership të guximshëm, të matur, dhe shtetformues politik”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga partia e kryeministrit Isa Mustafa.

“Lidhja Demokratike e Kosovës çmon lartë rolin esencial të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe Zyrës së Bashkimit Evropian, që në koordinim me institucionet vendore, qendrore e lokale, u angazhuan që ky zhvillim t’i kontribuojë klimës së mirëbesimit në vend”, ka thënë LDK.

“Lidhja Demokratike e Kosovës inkurajon përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik, që t’i kontribuojnë dialogut dhe konsensusit, në kuadër të orientimit pro perëndimor të Republikës së Kosovës, të konfirmuar në vazhdimësi nga krerët e institucioneve dhe nga Kryeministri, Akademik Isa Mustafa”, përfundon komunikata.