Mikes së madhe të Kosovës, ish-Sekretares së parë grua në historinë e Amerikës, Madeleine Albright, i është dhënë sot lamtumira e fundit. Pjesë e kësaj ceremonie kanë qenë Presidenti Joe Biden dhe paraardhësit e tjerë të tij. Nga Kosova kanë marrë pjesë Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtari i LDK’së, Faton Bislimi, shkruan Botapress.info
Rreth 1 mijë e 400 persona, të udhëhequr nga Presidenti Joe Biden, janë mbledhur sot në Katedralen Kombëtare në Washington D.C. Të gjithë këta, përfshirë edhe ish-presidentët Bill Clinton e Barack Obama, janë bërë bashkë për ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright, e cila vdiq më 23 mars.
I pari që foli për jetën dhe veprën e ish-sekretares së shtetit ishte ish-presidenti Bill Clinton, i cili edhe e kishte emëruar në këtë pozitë.
Ai kujtoi një nga momentet më të mira me Sekretaren Albright kur vizituan Kosovën në vitin 2019 për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit, të cilin e përshkroi si festim të fitores së Kosovës dhe ShBA-së.
“Po e kujtoja kohën kur së bashku me Sekretaren Albright udhëtuam në Kosovë para tre vjetëve kur po festohej 20 vjetori i fitores së tyre dhe tonës, në parandalimin e spastrimit etnik dhe vet ekzistencës së Kosovës”, tha presidenti Clinton.
Clinton foli edhe për bustin që Kosova ia ngriti Sekretares Albright në nderim të kontributit të saj për çlirimin e Kosovës, shkruan Botapress.info
“Ne ecëm rrugëve të Prishtinës, me zyrtarët kosovarë dhe ndaluam në një bulevard ku edhe e kishin ngritur një bust të bukur si dedikim për Sekretaren Albright për punën që ka bërë atje. Jam shumë krenar për jetën që e ka jetuar dhe jam falënderues që unë dhe Hillary kemi qenë miq me të”, tha Clinton.