Javën e ardhshme pritet që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të fillojnë seancat përgatitore për gjykim, në rastin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.
Në bazë të kalendarit të publikuar në faqen zyrtare të gjykatës, bëhet e ditur se me 9 qershor do të mbahet seanca e parë përgatitore për gjykim në këtë rast.
Ndërkaq, kanë mbetur për tu konfirmuar konferencat përgatitore për gjykimin për 10 e 11 qershor.
Konferenca përgatitore për gjykimin është e rregulluar me rregullën 117 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe akuzat ndaj tij, për të cilat më pas ishte deklaruar i pafajshëm.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.
Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.