Ka ndërruar jetë politikani zviceran Giuliano Bignasca, themelues i partisë së djathtë Lega dei Ticinesi. Politikani kontrovers nga kantoni italishtfolës, Tesina, ka vdekur nga infarkti, në moshën 67 vjeçare.
Në mbrëmjen e të mërkurës Bignasca ishte në një manifestim të partisë së tij kur i janë paraqitur komplikimet shëndetësore, pas një kontrollimi mjekësor ai është kthyer në shtëpi, ku ka vdekur disa orë më vonë.
Bignasca, që ka qenë pronar i kompanisë ndërtimore dhe i medieve, ka themeluar partinë e tij në vitin 1991. Ai gjatë viteve si politikan ka rënë në sy me një sërë skandalesh ose deklaratash të pamatura. Njëra prej tyre ishte ajo e vitit 2007, kur ai ankohet se në përfaqësuesen zvicerane të futbollit “ka shumë zezakë”. Në gazetën e tij partiake, duke bërë fjalë për futbollistët e kombëtares Bignasca kishte shkuar se “një futbollist me ngjyrë çokollate”është i pranueshëm “por tre të tillë janë vërtetë tepër”.
Ai ka rënë në konflikt disa herë me ligjin, veç tjerash edhe për shkelje të ligjit për racizmin.