Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtor Skender Krasniqin, për vrasjen e djalit të tij, Albert Krasniqit.
Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se Skender Krasniqi është shpallur fajtor për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, dhe dënohet me 3 vite e pesë muaj burgim.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.K për veprën penale Vrasja nga pakujdesia nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I akuzuari S.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e pesë (5) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. Koha e kaluar nën masën e paraburgimit për të pandehurin do të llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim prej datës 27.01.2021”, thuhet në njoftim.
Rasti kishte ndodhur më 27 janar të këtij viti, rreth orës 17:00. Skender Krasniqi e kishte telefonuar vetë Policinë e Kosovës, për të raportuar se e kishte vrarë djalin.
Pas tragjedisë, babai i të ndjerit ka qenë në gjendje të rëndë emocionale.
Avokati i tij, Ramiz Krasniqi, kishte deklaruar për Express se në vendin ku ka ndodhur krimi ka pasur kamera dhe pamjet janë tërhequr nga policia.
“Unë nuk e di së çka kanë deklaru familjarët, por e di që vrasja është aksidentale, ashtu më ka thënë Skenderi. Tani ta shohim se çfarë po flasin pamjet e kamerave. Me gjasë ka pas kamera, i kanë tërheq policia, por tash a kanë qenë funskionale a jo nuk e di se nuk e kam pa atë pjesë. Ajo pjesë ka qenë me kamera, por nuk e di e di që policia ka shku dhe besoj që I kanë tërheq”, pati deklaruar Krasniqi.
Ai shtoi se arma që e kishte blerë tashmë i ndjeri, Alberti, ka qenë pa leje.
“Arma pa leje ka qenë, nuk e di kur e ka ble Alberti armën”, ka deklaruar avokati.