Në prag të përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor të partisë, sot në prani të qindra
qytetarëve dhe simpatizantëve të shumtë, Aleanca Kosova e Re ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor të
degës në Ferizaj.
Në Kuvend, përveç mysafirëve, i pranishëm ishte edhe Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet
Pacolli. Në fjalën e tij para qytetarëve të Ferizajt, presidenti Pacolli foli për synimet e AKR-së për
Ferizajn si dhe për vizionin liberal që i nevojitet Kosovës.
“Synimi politik i AKR-së mbetet krijimi i një qeverie dhe udhëheqësie shtetërore të përgjegjshme,
profesionale dhe transparente, me njerëz që veprojnë lirshëm, me plot profesionalizëm,
transparencë dhe përgjegjësi. Ne do ta ndërtojmë një shtet të lirë, të barabartë për të gjithë, i cili
garanton siguri dhe ligjshmëri”, ka thënë numri një i AKR-së dhe duke shtuar se, krijimi i një shteti
të fortë ekonomikisht, garanton shërbime dinjitoze si dhe mundësi më të mëdha për edukim dhe
punësim për qytetarët e Kosovës.
Punimet e Kuvendit i hapi zëvendës koordinatori i degës Amir Rexhepi,i cili foli për themelimin e
28 nëndegëve në Ferizaj, si dhe i falënderoi të gjithë përfaqësuesit e këtyre nëndegëve për punën
e tyre.
Më pas Kuvendi i ka vazhduar punimet, ku në prani të 359 delegatëve, me shumicë votash,
Kryetar i degës së Aleancës Kosova e Re në Ferizaj është Zgjedhur Labinot Tahiri.
Tahiri fillimisht e falënderoi anëtarësinë e AKR-së në Ferizaj si dhe Forumet e kësaj dege për
angazhimin dhe punën e tyre të palodhshme.
Ai në fjalën e tij përshëndetëse tha se AKR-ja do ta sfidojë të keqen që e ka kapluar vendin dhe do
të reflektojë barazi dhe respekt shoqëror për të gjithë. “Duke e zhvilluar vendin dhe duke i
ndihmuar njëri tjetrit ne do të dalim nga kjo situatë. Unë ju garantoj se së bashku me AKR-në dhe
Presidentin Behgjet Pacolli, do ta ndryshojmë Kosovën dhe do ta nxjerrim atë nga ky mjerim”, ka
thënë ndër të tjera Kryetari i degës së AKR-së në Ferizaj.
Kuvendi më pas ka zgjedhur edhe strukturat tjera udhëheqëse të degës, me nënkryetarët Ibrahim
Hyseni, Agim Sinani, Dr. Ekrem Mustafa, sekretarin Amir Rexhepi si dhe Kryesinë e degës të
përbërë prej 20 anëtarësh. /Botapress.info