Gazeta raportoi sot për një rast të inskenuar të grabitjes nga një punëtor i kompanisë “Albanian Courier Kosova”, i cili u zbulua nga Policia pasi denoncoi rastin dhe deklaroi rrejshëm se katër persona të maskuar, nën kërcënimin e armës ia kanë grabitur rreth 5 mijë euro në Raushiq të Pejës. Tentativa për të zgjidhur problemet duke vepruar kundërligjshëm i kushtoi të dyshuarit me arrestim.
Por kush është personi i dyshuari?
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Luan Kajtazaj, 47-vjeçar, i cili tashmë është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet ndaj tij, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”. Postieri i kompanisë “Albanian Courier Kosova”, ka denoncuar rastin mbrëmë në Polici, ku kishte raportuar gjoja se katër person të maskuar dhe të armatosur ia kanë grabitur rreth 5 mijë euro.
Gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, i dyshuari e ka pranuar që askush nuk e ka grabitur, por motivi që e shtyri të denoncojë rastin ishte se paratë e kompanisë i kishte shpenzuar për t’i shlyer borxhet e tij dhe si arsyetim për mosdorëzimin e tyre e ka inskenuar rastin.
Tentativa për të zgjidhur problemet dhe për ta fshehur humbjen e armës duke vepruar kundërligjshëm i kushtoi të dyshuarit me arrestim dhe ndalim. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshuar iniciuar rastin për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal “Kushdo që bën lajmërim të rremë te personi zyrtar i ngarkuar me detyrën për të hetuar apo ndjekur, se personi i caktuar ka kryer vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, duke e ditur se personi i tillë nuk është kryesi, dënohet me gjobë ose me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.”.