Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se dikasteri që ai e udhëheq po e trajton seriozisht çështjen e tenderit që Zyra e Prokurimit të MI’së ia ka dhënë kompanisë RAD D.O.O., në pronësi të Radule Stevic, i sanksionuar dje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), si pjesëtar i grupit të krimit të organizuar, të udhëhequr nga Zvonko Veselinovic.
Aliu në një konferencë për media tha se kompania e Steviqit nuk kishte qenë më herën në “listë të zezë”. Kjo, tha ai, ia ka mundësuar kompanisë së lidhur me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq të fitojë tender për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Jemi duke u marrë me këtë çështje, pas lajmit që e kemi marrë. Kjo kompani ka marrë tenderë edhe më herët. Nuk ka qenë asnjëherë në listë të zezë. Pra, ligjërisht për mos me e lanë mos me e lënë me e marrë tenderin këtë kompani, nuk ka pasur mundësi për shkak se ata nuk kanë figuru në atë listë të zezë të kompanive të papërgjegjshme. Tash, si do të jetë dhe çfarë do të bëhet me këtë kontratë, jemi duke i shqyrtuar mundësitë ligjore të cilat janë. Jemi duke e marrë shumë seriozisht këtë çështje”, tha Aliu.
Ai vlerësoi se vendimi për t’i sanksionuar këta persona e ndihmon jashtëzakonisht Kosovën.
“Në harmoni me këtë vendim, ne do të jemi shumë të përgjegjshëm dhe do ta trajtojmë me seriozitetin më të madh. Dhe uroj që sa më shpejt ta gjejmë hapësirën ligjore që ta ndalim këtë kontratë”, tha Aliu.
I pyetur për mundësitë reale të shkëputjes së kontratët, Aliu tha se këto janë çështje ligjore dhe se ata që merren me ligjin brenda ministrisë duhet t’i japin opsionet më të mira.
Ministria e Infrastrukturës në korrik i kishte dhënë tender prej gati 600 mijë eurosh një grupi të operatorëve ekonomikë, përfshirë edhe kompaninë në emër të Radule Steviqit.
P.T.P. “RAD” dhe “RAD” D.O.O, dy kompani që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës janë të regjistruata në emër të Steviqit, kanë fituar tenderë nga institucionet e Kosovës për disa projekte të tilla si infrastrukturore në komunat në veri të vendit, tenderë për ndërtimin e banesave sociale, çerdheve, renovimin e shkollave, furnizimin me pajisje të teknologjisë informative, furnizimin me materiale ndërtimore, furnizimin me mobilie e deri te prodhimi i pajisjeve të trafikut dhe sinjalizimit.
Zvonko Veselinoviq nga Zveçani, i njohur në Kosovë dhe në Serbi si kreu i krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës është sanksionuar dje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me grupin e tij kriminal, ku përfshihen edhe nënkryateri i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, e po ashtu edhe Radule Steviq.
Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka gjetur dhe treguar se Veselinoviq është një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë. Në komunikatën e kësaj zyreje thuhet se grupi i tij kriminal ka komplotuar (ka bërë plane sekrete) me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje në fillim të vitit 2019, përfshirë një shkallë të gjerë ryshfeti me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbë.
Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti kanë reaguar pas këtij vendimi për t’i mirëpritur sanksionet ndaj Zvonko Veselinoviqin dhe bashlëpunëtorëve të tij në grupin kriminal. /Botapress.info/