Ligji për Këshillin e Sigurisë dhe Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, të kthyer për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës nga ana e presidentes, Vjosa Osmani rrezikojnë të hedhen poshtë – në rast se deputetët nuk mblidhen në seancë për të përmbysur veton e të parës së shtetit.
Për herë të parë gjatë mandatit të saj, presidentja Osmani, më 18.11.2024, i ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend dy Ligje, nën arsyetimin se disa Nene të tyre janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Me Rregulloren e Punës së Kuvendit, parashihet që në rastet kur Presidentja e kthen një ligj në Kuvend, Kryeparlamentari ia dërgon atë menjëherë Komisionit përgjegjës-raportues, i cili përgatit Raportin për seancë plenare brenda katër javëve nga dita e pranimit të tij.
Por, ndonëse ka kaluar një muaj, Kuvendi i Kosovës deri më dje, nuk ka paralajmëruar seancë për të trajtuar këtë çështje.
Rregullorja e legjislativit e specifikon se në rast se Kuvendi nuk e përmbys veton e Presidentes përmes votimit, atëherë konsiderohet se nuk ka ligj.
“Për ta përmbysur veton e Presidentit, nevojiten që së paku 61 deputetë të votojnë për ligjin e miratuar, i cili është kthyer nga Presidenti i Republikës dhe ligji konsiderohet i shpallur. Në rast se Kuvendi nuk e përmbys veton e Presidentit, konsiderohet se nuk ka ligj.” – thuhet, shprehimisht, në Rregullore.
Violeta Haxholli, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), deklaron për KALLXO.com se procedurat për shqyrtimin e këtyre Ligjeve në seancë të Kuvendit është vështirë të përfundojnë gjatë këtij mandati.
“Për momentin s’ka seanca të paralajmëruara, ndërsa ka mbetur pak kohë deri te përfundimi i kësaj legjislature të Kuvendit. Kjo varet nga vullneti politik i Partisë në pushtet, që të mbledhë 61 deputetë dhe të thërrasë seancën për miratim të tyre.” – thotë ajo.
Media ka kërkuar informacione nga Kuvendi i Kosovës se kur pritet të shqyrtohen në seancë këto dy Ligje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Komisionet në dilemë me Rregulloren e re
Komisionet përgjegjëse në Kuvend janë mbledhur për të shqyrtuar çështjen e Ligjeve të kthyera nga Presidentja. Megjithatë, gjatë rrugës kanë hasur në dilema sa i përket interpretimit të Rregullores së re të Kuvendit, e cila ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2022.
Sipas kryetarit të Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, në mbledhjen e mbajtur më 27.11.2024, dilema ka qenë nëse Komisioni ka mandat për të propozuar amandamente dhe këto t’i propozohen Kuvendit për miratim – sipas vërejtjeve të Presidentes.
Ai për KALLXO ka bërë të ditur se lidhur me këtë çështje kanë kërkuar interpretim nga Komisioni për Legjislacion.
“Komisioni përkatës për Rregulloren e Kuvendit ende nuk e ka kthyer përgjigjen e tij dhe kështu ende nuk është proceduar Raporti për seancë të Kuvendit. Proceduralisht, kjo çështje me siguri do të mbetet për t’u trajtuar në mandatin e legjislaturës së re.” – u shpreh Berisha.
Njëjtë ka vepruar edhe Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, i cili është mbledhur më 05.12.2024 për ta trajtuar çështjen e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala ka thënë se “nga shumica parlamentare është propozuar që të mos merret vendim, derisa të kemi interpretim nga Komisioni për legjislacion, lidhur me dispozitat e Rregullores së Kuvendit, lidhur me kthimin e Ligjit.”
Ndërsa, ka shtuar se afati për dërgimin e Rekomandimit në seancë është konsumuar, për shkak të neglizhencës së shumicës parlamentare.
“Nga ajo datë, Komisioni për legjislacion s’ka bërë ndonjë interpretim dhe tani edhe afati prej 4 javësh është konsumuar, për dërgimin e Rekomandimit të Komisionit për ekonomi – kryekëput për shkak të neglizhencës së shumicës parlamentare.” – u shpreh ai në një përgjigje për KALLXO.com.
Lidhur me këtë çështje, mediumi ka kërkuar shpjegime nga kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi dhe nënkryetari, Driton Selmanaj, por deri në publikimin e këtij artikulli, asnjëri nuk ka kthyer përgjigje.
Më 18.12.2024, KALLXO.com ka kërkuar nga shefat e Grupeve parlamentare të LVV-së, PDK -së, LDK-së e AAK-së të dijë qëndrimin e deputetëve të Kuvendit lidhur me ketë çështje, por të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.
Po ashtu, KALLXO.com ka kërkuar një qëndrim lidhur me këto Ligje edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që në Zgjedhjet e kaluara garuan si kandidatë të Listës Guxo – asokohe nën drejtimin e Vjosa Osmanit.
Deputeti Burim Meta tha se “me bindje dhe vendosmëri do t’i përkrahë propozimet e Presidentes”, ndërsa Jeta Statovci dhe Haxhi Avdyli nuk u përgjigjën në interesimin e KALLXO.com.
Arsyetimet e Presidentes Osmani për kthimin e Ligjeve
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse Presidenti i Republikës e kthen ligjin në Kuvend, ai/ajo duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit.
Ndërsa, theksohet se Presidenti, të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë.
Sipas Presidencës së Kosovës, Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.
Në arsyetim, Osmani thekson se Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme, duke arsyetuar se në mungesë të një Ligji tjetër në fuqi, që e rregullon këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i parregulluar – duke e rrezikuar sigurinë kombëtare të shtetit.
Në Kosovë, aktualisht, nuk ka Ligj përkatës, i cili e rregullon këtë fushë.
Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, kur: ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes; ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike; ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.
Po të njëjtën ditë, e para e shtetit e ka kthyer për rishqyrtim edhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Osmani ia ka kthyer këtë Ligj Kuvendit me arsyetimin se disa dispozita të tij rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë.
Sipas arsyetimit të Osmanit, Ligji cenon mundësinë e zbatimit të obligimeve kushtetuese të institucioneve kompetente në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pasi që kufizon aplikimin e masave të tjera – siç mund të ishte kalimi në paketimin me të qëndrueshëm dhe më miqësor për mjedisin.
Osmani, tutje, ka përmendur edhe pasojat e shpalljes së këtij Ligji. Ajo ka thënë se mungesa e qartësisë ligjore, për përdorimin e qeseve të plastikës ndikon edhe në përdorimin e tyre në mënyrë të pakontrolluar.
Të dyja Ligjet u patën miratuar në seancën e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 31.10.2024.
Gjatë mandatit të saj si Presidente, kjo është hera e parë që Osmani ka kthyer Ligje për rishqyrtim në Kuvend