SHBA t’i bëjë presion Francës për liberalizimin e vizave për KosovënTë mos bisedohet me Serbinë ku nuk diskutohet njohja reciproke
Kosova ka kohë që po kërkon liberalizimin e vizave nga shtetet e BE-së. BE po vazhdon akoma ta kushtëzojë Kosovën që nëse nuk i kryen detyrat, nuk ka liberalizim të vizave.
Por së fundi, për çështjen e liberalizimit të vizave ka ndërhyrë edhe anëtari gjerman i DPC-së, Bodo Weber. Weber ka thënë se Kosova duhet të kushtëzojë pjesëmarrjen në dialogun me Serbinë me ndryshimin e pozicionit të Francës për liberalizimin e vizave dhe për procesin e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.
“Dhe Macroni duhet të ndalojë se keqpërdoruri çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën për qëllime të brendshme populiste – shtyrja e mëtejme e dritës së gjelbër për liberalizim vizash deri pas zgjedhjeve presidenciale në Francë më 2022 është e papranueshme dhe Prishtina duhet ta kushtëzojë pjesëmarrjen në negociata me një ndryshim të qasjes në Paris”, ka thënë Weber i pyetur nëse pret ndonjë zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë kur administrata në ShBA drejtohet nga Joe Biden”.
Njohësit e çështjeve politike në vend kanë komentuar këtë, duke thënë se që Kosova ka mundësinë, jo të kushtëzimit por të ngurrimit.
Voca: Për liberalizimin e vizave, qasja negociuese e Kosovës duhet të ndryshojë
Doktor i shkenca gjeopolitike dhe ligjëruesi i Parisit, Mirsad Voca, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Kosova deri tani ka qenë e dëgjueshme ndaj shteteve të BE-së dhe tani sa i përket liberalizimit të vizave, qasja negocuese e Kosovës duhet gjithsesi të ndryshojë.
“Kosova asnjëherë nuk ka përdorur strategjinë e kushtëzimit dhe vetëm ka qenë e dëgjueshme ndaj BE-së. Tani, besoj se pushteti i ri në Kosovë të cilit iu dha mbështetje e plotë nga populli, pritet të ketë një strategji tjetër krahas si shtet ndërtimit ashtu dhe politikës së jashtme. Lidhur me liberalizimin e vizave, qasja negociuese e Kosovës duhet gjithsesi të ndryshojë. Përballë presioneve të pakuptueshme që shpesh i bëhen Kosovës nga BE, sidomos lidhur me dialogun me Serbinë, Kosova gjithnjë ka qenë e gatshme për dialog.
Prandaj, nuk mund të lejohen të ndodhin pareshtur presione të tilla sikur Kosova po e pengon atë. Natyrisht që Kosova ka mundësinë, jo të kushtëzimit por të ngurrimit për të dialoguar jo vetëm me shtetin serb por edhe për çështje tjera me BE-në, duke parë që kjo e fundit vetëm e ka kushtëzuar Kosovën pa arsye dhe atë duke e instrumentalizuar edhe çështjen e liberalizimit të vizave. Kosova duhet të evitojë tani e tutje që të instrumentalizohet përballë BE-së. Liberalizimi i vizave ka qenë premtim i BE-së, se do bëhej po qe se Kosova bën lëshime në këtë apo atë pikë, madje duke i besuar premtimeve boshe të saj disa herë edhe liderët kosovarë të mëparshëm e festonin qesharakisht liberalizimin e vizave, të entuziazmuar nga premtimet kushtëzuese e boshe të BE-së por dhe për tu lavdëruar e mashtruar disi qytetarët”, ka thënë Voca.
Tutje, ai ka theksuar se Kosova duhet patjetër të kërkojë së pari liberalizimin e vizave e pastaj mund të diskutojë me BE për çështje tjera.
“Gjithsesi, këtë herë liberalizimi i vizave nuk mund të lejohet që të ofrohet me kusht që Kosova të bëjë ndonjë lëshim, sepse nuk ka çfarë të bëjë Kosova më shumë. Për të evituar një përsëritje instrumentalizimi të saj sikur më parë, Kosova duhet patjetër të kërkojë së pari liberalizimin e vizave e pastaj mund të diskutojë me BE për çështje tjera, duke mbetur gjithnjë e hapur edhe për çështjen e dialogut. Njëkohësisht Kosova me një Qeveri të re e cila si prioritet parësor ka shtetin ligjor dhe luftimin e korrupsionit, nuk i lë më asnjë hapësirë BE-së për zhagitje të këtij procesi dhe aq më tepër kur Kosova ka përmbushur shumë më tepër kritere sesa vendet e rajonit. Për më tepër, edhe Ministri i jashtëm gjerman në vizitën e tij në Kosovë, theksoi qartë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash”, ka vlerësuar ai.
Sipas Vocës, Kosova nuk ka nevojë të adresojë çështjen e liberalizimit tek shtetet që e bllokojnë atë veç e veç por vetëm pranë BE-së, sepse liberalizimi i vizave realizohet nga BE-ja e jo nga shtetet anëtare
“Kosova nuk ka nevojë të adresojë çështjen e liberalizimit tek shtetet që e bllokojnë atë veç e veç por vetëm pranë BE-së, sepse liberalizimi i vizave realizohet nga BE e jo nga shtetet anëtare dhe mbetet çështje e institucioneve të BE-së që të merret me qëndrimet e vendeve anëtare lidhur me këtë çështje. Dhe përderisa nuk do bëhet liberalizimi i vizave, Kosova ka të drejtë të plotë që të anashkalojë BE-në për çështje të politikës së saj të jashtme, përfshirë këtu dialogun, aq më tepër kur vet BE-ja padrejtësisht e ka instrumentalizuar dhe politizuar çështjen e liberalizimit të vizave”, ka deklaruar Mirsad Voca.
Lepaja: Të bisedohet për vizat si kusht, me Serbinë të mos bëhen negociata ku nuk bisedohet për njohjen reciproke
Kurse, analisti Fadil Lepaja, ka thënë se një kushtëzim i tillë është i vështirë por gjithsesi mund të bisedohet për vizat si kusht, derisa thotë se është krejtësisht i arsyeshëm.
“Padyshim Franca i ka arsyet e veta për rezervat si për procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për liberalizimin e vizave. Mendoj se është vështirë që Kosova të kushtëzojë dialogun me procesin e zgjerimit, por gjithsesi mund të bisedohet për vizat si kusht dhe mendoj se është krejtësisht i arsyeshëm, natyrisht duke ofruar bashkëpunim të plotë të Kosovës me Francën lidhur me shqetësimet e saj të natyrës së sigurisë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kërkesat formale janë plotësuar mbase, por sistemi i drejtësisë dhe sigurisë në vend lë shumë për të dëshiruar sidomos sa u përket ndikimeve nga lindja”, ka thënë Lepaja.
Sipas tij, duhet të punohet edhe me shtetet e tjera që kanë rezerva për liberalizimin e vizave për Kosovën, por që duhet të ketë kushte për Serbinë dhe nuk duhet të ketë bisedime pa u diskutuar njohja reciproke.
“Po ashtu, mendoj se përpos Francës duhet të bisedohet dhe bashkëpunohet edhe me vendet e tjera evropiane që kanë rezerva lidhur me vizat. Ndërkaq mendoj se gjithsesi duhet të ketë kushte për Serbinë dhe ndërkohë duhet të vazhdohet me prioritetet e premtuara. Nuk duhet hyrë në kurrfarë negociatash ku nuk bisedohet për njohjen reciproke dhe ku nuk ka distancim të qartë të Serbisë nga e kaluara dhe deklarimi i qartë për orientim evropian dhe bashkëpunim rajonal dhe jo bllokim të proceseve evropiane në rajon”, ka deklaruar Fadil Lepaja.
Krasniqi: SHBA t’i bëjë presion Francës për të ndryshuar qasje ndaj Kosovës
Edhe analisti Islam Krasniqi, ka thënë se deklarata e Bodo Weber është e mirë por jo në kohën e duhur, pasi që tani kemi presionin e ShBA-ve të cilët na urdhërojnë që ta rifillojmë dialogun.
“Deklarata e analistit gjerman i cili është anëtari i DPC-së, Bodo Weber është e mirë por jo në kohën e duhur, pasi që tani kemi presionin e ShBA-ve të cilët na urdhërojnë që ta rifillojmë dialogun dhe çdo kushtëzim duhet të bëhet gjithmonë duke u konsultuar me SHBA-të”, është shprehur ai.
Sipas Krasniqit, mundësinë e kushtëzimit e kemi humbur kur liderët tanë vraponin për interesat e tyre për t’u ulur në tryezë në Bruksel.
“Kur e kemi pasur mundësinë e kushtëzimit, liderët tanë vraponin për interesat e tyre për t’u ulur në tryezë në Bruksel duke apo diku tjetër dhe duke shkelur mbi parimet për të cilat ia kishin dhënë vetit. Tani ne nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet shfrytëzuar miqësinë me Presidentin e ShBA-ve sepse mundësi më të mirë nuk do të kemi për arritjen e një marrëveshjes finale gjithëpërfshirës”, ka vlerësuar Krasniqi.
Ai ka shtuar se për qasjen e Francës ndaj Kosovës sa i përket liberalizimit, Kosova duhet të kërkojë nga SHBA t’i bëjë presion për ta ndryshuar atë.
“Po ashtu, edhe ndërrimin e qasjes së shtetit të Francës dhe atyre vendeve që kanë qenë kundër Republikës sonë mund të kërkojmë nga SHBA-ja që ajo të bëjë presion dhe të ndryshojnë qasjen, pasi që Evropa na ka diskriminuar duke na mohuar një të drejtë elementare”, ka deklaruar Islam Krasniqi.