Një projekt për banim dhe tregti, i cili pritet të kushtojë 3.5 miliardë dollarë, është duke u zhvilluar në vendin e një ish-aeroporti në Minsk të Bjellorusisë. Me të synohet ndryshimi i pamjes së kryeqytetit bjellorus. Kush qëndron prapa këtij projekti?
I njohur si “Minsk World”, projekti përfshin edhe një qendër financiare me rrokaqiej me qelqe, të rrethuar nga dhjetëra ndërtesa të larta banimi dhe vila. Aty do të jenë gjithsej 30 mijë njësi banimi, shkruan Free Europe.
Projekti është duke u zhvilluar nga kompania “Dana Holdings”, e cila ndërtimeve u referohet si “qytet brenda qytetit” dhe si një ndër projektet më të mëdha të patundshmërisë në Evropë.
“Minsk World” është vetëm një nga projektet bjelloruse që i janë besuar kompanisë “Dana Holdings”, e cila selinë e ka në Qipro, por është themeluar nga vëllerëzit serbë, Bogoljub e Dragomir Kariq. Familja Kariq ka qenë një ndër familjet më me ndikim dhe më të pasurat në Serbi gjatë në vitet e nëntëdhjeta, gjatë pushtetit të famëkeqit Sllobodan Millosheviq, por fama e saj prej asaj kohe në Beograd është venitur.
Sipas faqes “Networthleaks”, pasuria e biznesmenit serb, Drogoljub Kariq, është 16 miliardë e 700 milionë dollarë. Ai cilësohet si njeriu që ka themeluar një ndër kompanitë e para private në Jugosllavi.
Në vitin 2006, autoritetet serbe e akuzuan Kariqin për disa veprime ilegale dhe i përdorën këto akuza për ta marrë nën kontroll kompaninë e telekomunikimeve, Mobtel, e cila më vonë u shit për 1.5 miliard euro.
Kjo familje ka arritur të futet thellë në industrinë e pronave në Bjellorusi gjatë dekadës së kaluar, duke arritur të shënojë përfitime të mëdha në këtë sektor.
Kritikët thonë se kjo është arritur falë lidhjeve të ngushta të kompanisë me presidentin autoritar të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, i cili është në pushtet që 27 vjet dhe që së fundi ka shtypur protesta masive.
Lilia Lukashenko, bashkëshortja e djalit të madh të Lukashenkos, Viktar-it, në vitin 2017 u zgjodh nënpresidente e kompanisë “Dana Astra”, kompania kryesore e korporatës së vëllezërve serbë në Bjellorusi.
Bashkimi Evropian i ka vendosur sanksione korporatës “Dana Holdings” dhe një nga kompanitë e saj bjelloruse në dhjetor të vitit të kaluar, duke e akuzuar atë për përfitim apo përkrahje të regjimit të Lukashenkos.
“Mbretëria” e patundshmërive e vëllezërve Kariq përfshin mbi 7 milionë metra katrorë të projekteve në zhvillim në Bjellorusi dhe Kazakistan. Vlera e përgjithshme e këtyre projekteve është vlerësuar të jetë 13 miliardë dollarë amerikanë.