Para dy jave është shënuar përvjetori i 23-të i masakrës së Mejës. Liderët e vendit duke e dënuar krimin që bënë forcat serbe në Rekën e Keqe dhe në Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës, kërkuan drejtësi për masakrën që mori jetën e 376 meshkujve shqiptarë, raporton Botapress.info.
23 vjet pas kryerjes së krimeve, dje erdhi një njoftim se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur hetimet për këtë masakër dhe tashmë janë identifikuar një numër i madh i kryerësve të këtij krimi si dhe të atyre që dhanë urdhrin dhe organizuan këtë krim.
Prokurorja e Shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Drita Hajdari, njëherësh udhëheqëse e Departamentit të Krimeve të Luftës, së bashku me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë bërë shikimin e vendit të ngjarjes në lidhje me masakrën e Mejës.
Provat e siguruara
Të mërkurën, ekipi i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, kanë shikuar dhe lokalizuar vendet ku janë kryer krimet, si dhe kanë siguruar provat e nevojshme lidhur me këtë krim.
Prokurorja, Drita Hajdari, gjatë vizitës në Mejë, saktësoi se sipas informatave aktuale, në këtë masakër “janë vrarë 376 persona. Shumica e mbetjeve mortore janë gjetur, ndërsa disa persona janë ende të zhdukur”.
Gjithashtu, prokurorja Hajdari potencoi faktin se “gjatë operacioneve ushtarake dhe policore të ushtrisë jugosllave, përveç vrasjeve të shumta janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, si djegia e shtëpive dhe plaçkitja e popullsisë civile si dhe dëme tjera materiale”.