Ish-shefi për kundërzbulim në zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, të hënën u akuzua për bashkëpunim me një oligark të sanksionuar rus dhe fshehje të qindra mijëra dollarëve që dyshohet se i kishte marrë nga një ish-punëtor i një agjencie shqiptare të inteligjencës, kur ishte zyrtar i lartë i Byrosë Federale të Hetimeve.
McGonigal, veteran që punoi në FBI deri në pensionimin e tij më 2018, u arrestua të shtunën në Aeroportin Ndërkombëtar “John F. Kennedy”, përderisa po kthehej nga udhëtimi në një vend të huaj, i tha televizionit CNN një burim i afërt me arrestimin. Akuzat e njoftuara nga zyra e prokurorit amerikan në Distriktin Jugor të Nju Jorkut dhe Uashingtonit përbëjnë rënie dramatike për ish-zyrtarin e FBI-së, i cili e ka dorëzuar pasaportën dhe tash për tash i ndalohet udhëtimi jashtë vendit.
Ai u deklarua i pafajshëm përmes avokatit të vet të hënën pasdite në Nju Jork sa u përket akuzave të lidhura me shkeljen e sanksioneve amerikane, konspiracionit dhe pastrimit të parave gjatë punës më 2021 me oligarkun rus, Oleg Deripaska, i cili ishte sanksionuar për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.
Prokurorët pretendojnë se gjatë disa udhëtimeve jashtë vendit në Shqipëri, Austri e Gjermani, McGonigal ka dështuar që të tregojë përmes dokumenteve zyrtare amerikane se është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me një politikan kosovar dhe me disa figura të tjera.
Në një takim, prokurorët pretendojnë se McGonigal i kishte bërë thirrje kryeministrit shqiptar që të ishte “i kujdesshëm për dhënien e lejeve për nxjerrje të karburanteve në fusha të naftës në Shqipëri ndaj për kompani fiktive ruse”. Thuhet se ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare, i cili ia kishte dhënë këtij ish-zyrtari 225 mijë dollarë, kishte interesa financiare në vendimin e qeverisë për ato kontrata.
Njëra nga pagesat në formën kesh – 80 mijë dollarë – pretendohet se i është dhënë McGonigal-it derisa ai ndodhej në një veturë të parkuar afër një restoranti në Nju Jork.
Nën direktivat e tij, FBI-ja kishte nisur një hetim për përpjekjet e lobimit të jashtëm nga një shtetas amerikan duke u bazuar në informatat e pranuara nga ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare, sipas aktakuzës. McGonigal-i kurrë nuk e kishte zbuluar këtë marrëdhënie financiare.
Oligarku rus, Deripaska, aleat i Putinit, ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara më 2018 si pjesë e kundërpërgjigjes ndaj ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe ishte akuzuar për shkeljen e sanksioneve më shtator.
Sipas një fletëthirrjeje për dëshmitarë, të publikuar në shtator nga mediumi amerikan, “Insider”, prokurorët ishin duke zhvilluar hetime për të marrë veshë nëse McGonigal-i kishte lidhje me Qeverinë e Bosnjës si dhe ndonjë “pagesë ose dhuratë” që mund t’i ishin dhënë nga qeveritë e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Dy burime i thanë mediumit “Insider” se McGonigal-i ishte i afërt me Edi Ramën, i cili shërben si kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013. Sipas një shkrese elektronike të shikuar nga mediumi “Insider”, McGonigal-i e kishte përdorur adresën e tij zyrtare elektronike të FBI-së në përpjekje për të organizuar një takim mes Edi Ramës dhe një kompanie amerikane, të cilën Rama mendonte që ta angazhonte për një nismë kundër korrupsionit. Në fund, FBI-ja nuk ia kishte dhënë McGonigal-it miratimin për atë takim dhe takimi nuk ishte zhvilluar kurrë.
Një përfaqësues i Ramës tha në shtator se marrëdhënia e kryeministrit me McGonigal-in ishte “marrëdhënie tërësisht private e miqësore, pa interes publik”. “Ne nuk kemi ide për asnjë trup gjykues dhe asnjë autoritet i ShBA-së nuk ka ka kontaktuar ndonjëherë për këtë. Kurrë nuk ka pasur takime me firma, dhurata, pagesa, rimbursime për udhëtime para ose pas largimit të McGonigal-it nga puna e tij”- tha përfaqësuesi i Ramës.