[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kush e zbuti Vucicin në Zvicër



Në Forumin Ekonomik Botëror, që mbahet në Davos të Zvicrës, marrin pjesë liderë të shumtë botërorë dhe biznesmenë të fuqishëm nga e gjithë bota. Aty ishte edhe Kryeministri i Serbisë, Alekdandar Vucic, prej nga dërgoi porosi për paqe dhe stabilitet.

Retorika e ashpër e Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, i cili shkoi aq larg sa kërcënoi me futjen e ushtrisë serbe në Kosovë dhe luftë me shqiptarët, u pasua sot nga një retorikë krejt e kundërt nga njeriu momentalisht më i fuqishëm në Serbi, Aleksandar Vucic.

Vucic sot kishte shumë takime në Davos, sipas raportimit të mediave serbe, përfshirë nënpresidentin amerikan, Joe Biden, ku natyrisht tema e Kosovës nuk ka munguar. Biden po i numëron ditët e fundit në detyrë por Vucic e di se nënpresidenti amerikan është një nga zyrtarët amerikanë më të informuar për Ballkanin dhe si i tillë duhet të ketë pasur porosi të qarta për Vucic dhe kryetarin e tij luftënxitës, Nikolic.

Mediat serbe raportojnë se Kryeministri serb kërkoi paqe dhe stabilitet në rajon dhe dialog me palën kosovare duke përfshirë një linje “të nxehtë” Beograd – Prishtinë në mënyrë që të ketë një komunikim direkt ndërmjet zyrtarëve të Serbisë dhe atyre të Kosovës, në raste të paqartësive, si kjo e fundit me trenin që në Kosovë u konsiderua si provokativ.

Vucic nga Davosi tha se të dyja palët, siç tha ai, edhe Beogradi edhe Prishtina duhet të harrojnë armët dhe të bisedojnë për të gjitha.

Mbetet të shihet nëse zbutja e Vucic ishte efektive apo Serbia do të vazhdojë me provokimet e saj ndaj Kosovës.