Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosovës i është propozuar që të lejojë targa neutrale “KS” për të zgjidhur problemin me serbët në veri të Kosovës që refuzojnë të përdorin ato RKS.
“Ka pasë opsione, por ato që janë të pranueshme për ne janë ato në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë dhe në frymën e parimit të reciprocitetit”, tha Kurti në konferencë.
Kryeministri tha se pret nga takimi i sotëm me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, që të japë propozime të reja, por të tilla që s’e cenojnë shtetësinë e Kosovës.
“Duhet ta shohim takimin e sotëm a kanë opsione të reja, mirëpo opsionet ku Kosova duhet që të prodhojë targa neutrale për vetveten nuk vijnë në konsideratë. Me mua si kryeministër, me këtë udhëheqje demokratike pas zgjedhjeve të 14 shkurtit vitit të kaluar nuk mund të ketë prodhimtari, status neutral në Republikën e Kosovës. RKS janë tabelat e Kosovës dhe madje kjo është në përputhje edhe me vetë zotimet e Beogradit të bëra në Bruksel. Ata nuk duhej as t’i përdorin, as t’i prodhojnë asnjë targë me ato akronime pas datës 15 janar të vitit 2018”.
Në fund të sqarimit të këtij propozimi, Kurti bëri një zotim të prerë.
“Targa të UNMIK-ut nuk prodhon Republika e Kosovës”. /Gazeta Botapress.info/