[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kusari-Lila denoncon Pal Lekajn në prokurori



Pak ditë më parë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj dhe dy ish-zyrtarëve të kësaj komune. Ata akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Por, kryetarja aktuale, Mimoza Kusari-Lila, thotë t’i ketë denoncuar në prokurori të gjitha keqpërdorimet e paraardhësit të saj, Pal Lekaj.

“Aktakuza është e bazuar gjatë periudhës sa ka qenë ai kryetar (Pal Lekaj). Ka një mori parregullsish që kanë ndodhur gjatë asaj periudhe, dhe kemi materiale që i kemi dorëzuar edhe në Prokurori që kanë të bëjnë me shkelje të natyrave të ndryshme”, ka thënë Kusari-Lila për Insajderin.

Ajo thotë se ka pasur shumë projekte, të cilët, gjatë qeverisjes së Pal Lekajt janë shpallur tenderët e që nuk kanë pasur mbulesë me mjete financiare.

“Në Komunën e Gjakovës kanë qenë afërsisht 21 milionë projekte që janë tenderuar e që nuk kanë pasur mbulesë të mjeteve. Në të shumtën e rasteve kanë qenë me kontribut të lagjeve, të fshatit, ku ish-kryetari dhe ish-qeverisja kanë kërkuar që nëse banorët participojnë me 10 për qind, atëherë komuna ua ndërton rrugën, kurse komuna nuk ka pasur asnjë cent të ndarë për ato rrugë”, ka shtuar ajo.

Madje, sipas saj, as në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk i ka pasur të planifikuara mjetet për ato rrugë.

Ajo thotë se është e gatshme që të bashkëpunojë me prokurorinë në rastin e aktakuzës kundër ish-kryetarit, Pal Lekaj, duke shtuar se për keqpërdorimet e qeverisjes Lekaj kanë folur edhe publikisht.

Por këto deklarime nuk i bëjmë përshtypje vetë Pal Lekajt. Madje thotë se nuk ka kohë të flasë për to.

“Sa i përket akuzave të Mimoza të Kusarit, nuk kam kohë të bisedoj për to. Mund të shkoni dhe verifikoni si i shpallë tenderët zonja Mimoza Kusari. Në këtë drejtim as nuk dua të bisedoj”, ka thënë Lekaj për Insajderin.

Ai ka thënë se për këto 3 vjet Kusari-Lila përveç që është marrë me punën e tij, nuk ka bërë asgjë tjetër.

“Së shpejti do të del në votë zonja Mimoza Kusari dhe do ta sheh se çfarë thonë qytetarët për Pal Lekajn dhe Mimoza Kusarin”, ka shtuar ai.

Krejt pretendimet e Kusari-Lilës, Lekaj i quan sulme politike ndaj tij.

“Më tepër i ka sulme politike sesa diçka më shumë”, ka përfunduar ai.