Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesën e realizimit të investimeve kapitale në Kosovë është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit.
“Po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. As edhe një shenjë e lënë”, ka thënë Abdixhiku.
Kreu i LDK-së i ka drejtuar edhe disa pyetje për punën e Kurtit.
“Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nisë e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë”.
Kurti u drejtohet në serbisht serbëve të Kosovës për vendimet e fundit
Abdixhiku tha se Kosova ka nevojë për zhvillim, derisa shton se zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale.
“S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji – në pothuajse çdo fushë të jetës publike”.
Abdixhiku e kritikoi Kurtin edhe për arrogancë dhe arsyetime.
“Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë. Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo”.
Këto janë të dhënat për shpenzimin e buxhetit për investimet kapitale, të publikuara nga instituti GAP.
