Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të zhvillojë takime bilaterale me liderë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, siç njofton ZKM-ja.
Zyra e Kryeministrit thotë se me pjesëmarrjen e Kurtit atje synohet “thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere” dhe “fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse”.
“Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Kurti së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla “gjithashtu do të takojnë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës atje”, sipas ZKM-së.
“Në fund të vizitës, kryeministri Kurti do mbajë ligjëratë në Universitetin prestigjioz Yale, mbi rrugëtimin demokratik të Republikës së Kosovës 25 vjet pas çlirimit, qeverisjen dhe rritjen ekonomike”, thuhet në komunikatë.
Udhëheqës nga gjithë bota janë mbledhur në New York për Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Java e Nivelit të Lartë të AP të OKB-së filloi më 24 shtator.
Atje po qëndron edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.