Prokuroria Themelore në Prishtinë dje doli me një njoftim se po i heton punësimet e 128 personave (kryesisht familjarë dhe militantë të LVV-së) në KEK, pak para se minisrtja e Drejtësisë, Alebulena Haxhiu ta shprehte “me shqetësim” qëndrimin e saj rreth kësaj çështjeje.
Haxhiu tha se i kanë parë me shqetësim deklaratat lidhur me nepotizmin dhe punësimin e militantëve të LVV-së në këtë ndërmarrje publike. Ndonëse u shpreh e painformuar mirë për këtë çështje, ajo e theksoi mundësinë që këto të jenë “akuza të pabaza” dhe “të padrejta”, shkruan Gazeta Express.
“Unë nuk kam pasur as mundësinë e as kohën që të shoh në qoftë se të njëjtat qëndrojnë apo jo megjithatë duke pasur parasysh sulmet e vazhdueshme kundrejt qeverisë tonë, kundrejt në veçanti Lëvizjes Vetëvendosje edhe mund të pritet që janë akuza të pabaza, të padrejta”, tha Haxhiu në RTK.
“Në këtë drejtim, unë përshëndes edhe nisjen e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për faktin se secili pretendim pavarësisht qëllimit që ka, unë mendoj se mbyllet në momentin që një institucion siç është Prokuroria në Prishtinë që ka njoftuar se po merret me rastin”, shtoi ai.
Deputeti i LVV-së, Haki Abazi po ashtu foli rreth skandalit duke thënë se “duhet të presim punën e sistemit gjyqësor që ka filluar hetimet për punësimet në KEK”.
“Me sa shoh Prokuroria Themelore ka filluar hetimet dhe të presim punën e saj. Mund të ketë edhe votues të VV-së dhe ata kanë të drejtë të punësohen. Më herët ka ndodhur një diferencim 20 vjeçar të cilët nuk janë pajtuar me menaxhimin të ndërmarrjeve publike”, tha ai në një intervistë për RTK.
Avni Zogiani, ish-këshilltar i Agim Bahtirit i quajti fushatë dhe djallëzore raportimet për punësimin masiv të militantëve të Vetëvendosjes në KEK.
E çuditshme për të është vetëm fakti se “si nuk qelloi te punesohet nje aktivist ose nje njeri qe ka lidhje me VV – lidhje, jo foto ne FB!”.
Për ta ilustruar “djallëzinë”, Zogiani tregoi një shembull.
“Konsiderohet VV nje person qe derisa ka fituar VV ka qene pjese ne struktura te nje subjekti tjeter politik ne Obiliq, e kur VV ka ardhur ne pushtet ka filluar te postoje foto ne FB”, shkroi ai.
Deputeti i LVV-së, Haki Abazi rekomandoi të pritet që Prokuroria ta bëjë punën e saj, por tregoi se kush ka të drejtë të punësohet në këtë ndërmarrje.
“Me sa shoh Prokuroria Themelore ka filluar hetimet dhe të presim punën e saj. Mund të ketë edhe votues të VV-së dhe ata kanë të drejtë të punësohen. Më herët ka ndodhur një diferencim 20 vjeçar të cilët nuk janë pajtuar me menaxhimin të ndërmarrjeve publike”, ka thënë ai në RTK.
Prokuroria Themelore në Prishtinë inicoi hetime për shkeljet e dyshuar në procesin rekrutues të 128 punëtorëve në KEK.
“Pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Prokurorisë.
Pas kësaj, reagoi KEK-u, duke paralajmëruar ndërmarrjen e “masave adekuate” për shkeljet e dyshuara ligjore në procesin e rekrutimit të 128 punëtorëve në konkursin e fundit të punësimit.
Në një adresim publik, KEK-u njoftoi se procedura rekrutuese për 150 pozita është duke vijuar. Edhe 17 pozita të tjera pune janë të lira, tha KEK-u në një komunikatë për media të martën në mbrëmje.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se pas përfundimit të procedurave të rekrutimit sipas shpalljes publike për plotësimin e 150 pozitave të lira, ku kishin aplikuar 4668 kandidat, janë publikuar rezultatet përzgjedhjes për 128 pozita. Ndërsa për 17 pozita ende të pa plotësuara vazhdon procedura e rekrutimit si dhe për 5 pozita për të cilat nuk kemi pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt”.
KEK-u tha se “do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”.
“Lidhur me këtë, KEK inkurajon çdo aplikues që konsideron se i janë shkelur të drejtat e garantuara me dispozita ligjore, të parashtroj ankesë brenda afatit ligjor në komisionin e ankesave”, u tha tutje në njoftim.
Në këtë konkurs në të cilin u pranuan 128 persona, 120 prej tyre janë të afërm me partinë në pushtet sipas Paparacit dhe 40 të tjerë, kanë deklaruar haptazi se kanë familjarë të punësuar në ndërmarrjen publike.
Në konkurs kanë aplikuar 4668 persona.