Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Kuvend ka shpalosur projektbuxhetin për vitin 2025 që pritet të votohet sot. Ai ka thënë se është kryeministri i parë që e prezanton buxhetin e katërt të mandatit, raporton Express.
“Buxheti për vitin 2025 është projektuar të jetë 3.6 miliardë euro apo rreth 9 për qind më i lartë se buxheti i vitit 2025, ose 60 për qind më i lartë sesa i vitit 2020. Për të arritur deri këtu këto katër vite kaluam shumë sfida globale dhe të brendshme por njëkohësisht e për dallim nga të tjerët para nesh u siguruam që buxheti të orientohet aty ku kthimi është më i larti, te qytetarët tanë. Duke e bërë këtë vit pas viti rritej edhe buxheti pa ndryshuar asnjë politikë tatimore sepse investimi në qytetarët tanë vazhdonte të kthente rritje të qëndrueshme. Buxheti i vitit 2025 është buxheti i katërt me radhë që po e prezantojmë si qeveri në këtë mandat, miratimi në Qeveri dhe prezantimi i buxhetit në kuvend çdo herë e kemi bërë sipas rregullave të përcaktuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike”, ka thënë Kurti.
Buxheti për paga dhe shtesa 13.85 për qind më i lartë se në vitin 2024 ose 111.5 milionë euro; buxheti për mallra dhe shërbime duke i përfshirë edhe shërbimet komunale është 3.2 për qind më i lartë se në vitin 2024, buxheti për subvencione dhe transfere 8.75 për qind më i lartë se në vitin 2024 e këtu luajnë rol masat e reja, pensionet, shtesat për fëmijë, rimëkëmbja ekonomike etj.; buxheti për investime kapitale është 8.3 për qind më i lartë se në vitin 2024”, shtoi Kurti.
Sivjet do të kemi Bruto Produkt Vendor afër shtatë herë më të lartë se në vitin 2000, që është viti i parë pas çlirimit, apo afër 3 herë më i lartë se në vitin 2008, që është viti i shpalljes së pavarësisë dhe afër 50 për qind më i lartë se sa viti 2019, viti i parë parapandemik”, tha Kurti.
Më pas, Kurti foli edhe për Ligjin për Çmimet Tavan që u rrëzua nga Kushtetuesja dhe Ligjin për Pagën Minimale.
Ai ka kritikuar opozitën dhe Gjykatën Kushtetuese.
“Sic edhe e dini të nderuar deputetë, të dy ligjet deputetët opozitarë i bllokuan duke i dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Eventualisht, Gjykata që më shpesh bën bilanc politik sesa që ndan drejtësi, njërin ligj na e rrëzoi, atë për çmimet tavan, kurse tjetrin e miratoi, atë për Pagën Minimale. Dëm gjithsesi. Për të parin se nuk hyri kurrë në fuqi, kurse për të dytin sepse u vonua 1 vit zbatimi i tij”, tha Kurti.
“Pra qytetarë të dashur, përveç problemeve e krizave globale, neve na u desht edhe të navigonim për sfidat, pengesat e vonesat e brendshme që na u shkaktuan”.