Botapress, 20 Maj – Pas parafimit të marrëveshjes që u quajt historike për normalizimin e marrëdhënieve, më 19 prill 2013 Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e ai i Serbisë, Ivica Daçiq do të shkonin në NATO.
Në selinë e Aleancës veri atlantike palët erdhën deri te një ujdi tjetër, por të stilit ushtarak, njofton Klan Kosova.
Thaçi, do të jepte zotimin në formë të shkruar se Forca e Sigurisë së Kosovës, nuk shkon në veri pa lejen paraprake të NATO-s dhe misionit të saj KFOR.
Por me këtë zotim assesi nuk po pajtohet kryeministri aktual, Albin Kurti.
Sikur në mandatin e parë, vitin e kaluar, edhe tani në të dytin, ai po e sheh këtë akt si tradhti kombëtare.
Madje qysh atëherë ka bërë depozitim edhe në Prokurori.
”Ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e Republikës së Kosovës dhe unë vazhdojë të qëndroj prapa asaj që kam deklaruar në shkurt të vitit 2020. Unë nuk e kam akuzuar sekretarin e NATO-s në lidhje me atë shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij. Por kam akuzuar titullarin e atëhershëm të institucioneve të Kosovës që ka vënë firmën në një shkresë të tillë”, tha Kurti të enjtën gjatë debatit në Kuvend.
Në fund të prillit Kurti u takua me sekretarin e Aleancës, Jens Stoltenberg, por as atë ditë, e as këtë të enjte, nuk bëri me dije se nëse ka biseduar me të në mënyrë më të detajuar, për dokumentin që më 2020 e quante” dokument sekret” që ia dha një ushtarak i huaj.
Edhe më tej paralajmëron shfuqizimin e saj.
”Unë jam çuditur kur kam pa që nuk ka qenë vetëm një marrëveshje por kanë qenë dy, njëra që u bë publike në BE dhe tjetra që nuk u bë publike me NATO-n dhe e cila kurrë nuk është sjellë si informatë në Kuvendin e Republikës aq më pak të ratifikohet. Prandaj kemi edhe një element tjetër të së njejtës trashëgimi të keqe që ne dal nga dal me durim me punë do ta ndryshojmë”.
Hashim Thaçi, publikisht kurrë se pranoi pajtimin në NATO të 2013.
Më pas nga posti i presidentit deklaroi se Aleancës i dërgoi letër të re kjo pas votimit të formimit të Ushtrisë në dhjetor 2018.
Nga Aleanca veri-atlantike nuk e kanë komentuar ndonjëherë letrën e re të Thaçit.
E nëse është për ti besuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, NATO i mbetet besnike dokumentit.
Këtë e bëri të ditur, pasi e takoi sekretarin e përgjithshëm Jens Stoltenberg këtë të hënë.
”Folëm edhe për 2013 kur u morëm vesh për mos hyrjen në veri të Kosovës njësive të armatosura deri në dhëmbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Këtë ujdi NATO në pjesën më të madhe të saj e ka respektuar dhe ne u jemi falënderues për këtë”.
Me leje të KFOR sipas të dhënave zyrtare, FSK ka shkuar dy herë në veri të Republikës kjo në operacione të kërkim-shpëtimit.