Nga partia në pushtet thonë se Kosova do të përfshihet së shpejti në agjendën e Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, por nga opozita thonë se pa bërë hapa konkret drejt zbatimit të Asociacionit, Kosova nuk do të anëtarësohet në këtë organizatë.
Ishte në fazën e fundit mirëpo Kosova dështoi që gjatë muajit maj të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës sepse Komiteti i Ministrave, nuk e përfshiu në agjendë çështjen e anëtarësimit,
Kosova nuk e përmbushi një prej kushteve që disa nga shtetet kryesore kishin vënë, që ishte dorëzimi i draft-statutit për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, thotë se Kosova do të mund të rikthehet në agjendën e Komitetit të Ministrave vetëm atëherë kur bën hapa konkret drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Por ndryshe mendon deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbresha Kryeziu-Hyseni.
“Besoj qe do të rikthehemi së shpejti në agjendën e Këshillit të Ministrave sepse nuk ka pasur ndonjë arsyeje për të mos e pranuar Kosovën në Këshillin e Evropës. Ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për tu anëtarësuar në këtë organizatë. Çështja e Asociacionit nuk ka qenë e paralajmëruar më herët dhe është vendosur krejt në fund dhe konsideroj sa ka qenë një veprim i padrejtë karshi Kosovës”, thotë ajo.
Të dy deputetet tregojnë se cilat do të jenë përfitimet e qytetarëve më anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Është shumë e rëndësishme të bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës nëse ne aspirojmë që një ditë të bëhemi pjesë e familjes së madhe evropiane. Në Këshillin Evropës, shtyllat kryesore janë respektimi i të drejtave të njeriut, respektimi i të drejtave të minoriteve dhe respektimi i rendit dhe ligjit, këto kushte Kosova i përmbushur”, thotë deputetja e PDK-së.
Ndërsa, Arbresha Kryeziu-Hyseni thotë se “çdo qytetar do të ketë të drejtë të ankohet në Gjykatën Evropiane sepse në momentin që në bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës neve na sigurohen këto të drejta”
Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti raportin e Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, por vendet kryesore evropiane e kushtëzuan votimin me konkretizimin e hapave drejt themelimit të Asociacionit.