[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kur Kurti thoshte se kushërinjtë janë për dasma, jo për me i shti në punë



Xhaxhai i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca — Rabit Konjufca, është emëruar këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes.Të dhënat e tij në detaje nuk figurojnë ende në webfaqen e Ministrisë së Mbrojtjes, megjithatë në Kabinetin e Ministrit figuron emri i Rabit Konjufcës, si këshilltar politik.

Për emërimin e tij në këtë pozitë ka pasur shumë reagime. Shumica e atyre që kanë reaguar e kanë përdorur një deklaratë të kryeministrit Albin Kurti, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte thënë se kusherinjtë janë për dasma, e jo për t’i punësuar.

Në një tubim zgjedhor bashkë me Vjosa Osmanin, Kurti kishte deklaruar para qytetarëve se është shumë e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës t’i kemi njerëzit më të ndershëm dhe të dijshëm dhe se për këtë arsye nuk mund të mbushen ambasadat e ministritë me kusherinjë.

“Është e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës me i pas njerëzit më të ndershëm dhe dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinjë. Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë Kurti.

Ndryshe, Rabit Konjufca ka garuar edhe për kryetar të Komunës së Lipjanit nga radhët e Vetëvendosjes.

Ndërsa ministër të Mbrojtjes, Kurti ka emëruar Armend Mehajn. Emri i tij u diskutua për shkak se ishte emër i padëgjuar në skenën politike./Botapress/