Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosovare e Re i kanë zyrtarizuar tashmë kandidaturat e tyre për kryetar të Prishtinës.
Vetëm Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës ende nuk kanë i kanë bërë publik kandidatët e tyre për të parin e kryeqytetit.Por kur pritet të shpallen kandidaturat nga këto dy subjekte politike?
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka deklaruar se java tjetër mund të jetë koha kur PDK-ja pritet të shpallë edhe emrin e kandidatit për kryetar të Prishtinës.
“Ne brenda partisë e kemi një proces i cili ështa statutar dhe i cili garanton një demokraci të brendshme. Degët janë ato të cilat që fillimisht e marrin vendimin edhe propozojnë kandidatët. Të premten do të prezantojmë kandidatin tonë në Ferizaj, kështu që besoj java tjetër do të jetë koha kur do të prezantojmë edhe kandidatin në Prishtinë, por është çështje e degës.Kurdo që dega e sjell propozimin, ne ulemi dhe e miratojmë edhe tutje bëjmë aprovimin” deklaroi Gjoshi.
Ndërsa zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, i pyetur në lidhje me këtë çështje tha se përgjigja mbetet ajo që është komunikuar dje nga kryeministri Kurti se Këshilli i Qendrës së LVV-së është ai që vendos në lidhje me kandidaturën për Prishtinën .
“Kryeministri Kurti dje është deklaru për këtë çështje dhe ka thënë se ky është një vendim që i takon Këshillit të Qendrës së LVV-së. Deri në një komunikim të radhës kjo mbetet përgjigja” tha Kryeziu.
Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, tha se Prishtina do të jetë fokusi i subjekteve politike për zgjedhjet lokale.
Jashari thekson se kjo ndodh për faktin se aty është e përqëndruar rreth 30% e popullsisë.
“Shpallja e kandidaturave për kryetar të kryeqytetit nga subjektet politike, ka filluar dhe ende nuk ka përfunduar. Nga ajo që shihet emrat e konfirmuar si kandidat nga LDK-AAK, dhe emrat e përfolur nga PDK dhe LVV, tregon se fokusi kryesor i garës për nivelin lokal do të jetë Prishtina dhe kjo për faktin se ai subjekt që drejton kryeqytetin, drejton rreth 30% të popullsisë se fokusuar në kryeqytet dhe patjetër që tregon fuqinë politike të një subjekti” ka thënë Jashari.
Jashari thotë se përparsi për të fituar në Prishtinë pritet të ketë kandidati i LVV-së, pasi ky subjket politik udhëheq edhe me nivelin qëndror.
Ndërsa sa i përket LDK-së dhe PDK-së, ai thotë se janë një proces të brendshëm organizativ dhe se kjo do ti penalizojë edhe në vota.
“Kandidati i Lëvizjës Vetëvendosje, kushdo që nominohet do ta ketë përparsinë pasi në nivel qendror kemi Levizjen Vetëvendosje dhe kjo ndikon shumë. Pastaj përparsi tjetër e kandidatit të LVV është periudha e shkurtër e LVV-së, në qeverisje dhe me gjith skandalet në qeverisje, koha e shkurtër nuk mjaftojn për të zgjenjyer numër të votuesve aq sa për ta ndëshkuar me votë ne zgjedhjet lokale. Arsye tjetër është se LDK-ja, dhe PDK-ja, janë në një paqartësi të brendshmë organizative, ka shumë grupe që duan të dominojnë për brenda, ka shumë grupe që nuk duan ti hapin rrugën reformës brenda partisë dhe kjo i penalizon në vota”, ka deklaruar Jashari.
Tutje ai parashikon balotazh mes LVV-së dhe LDK-së në Prishtinë.
“Betejën finale në kryeqytet e shoh në balotazh, pasi si e vetme nuk pres që LVV-ja, të mandatohet nga qytetarët pasi ka një histori jo të mirë me Shpend Ahmetin në kryeqytet. Në balotazh shoh se do të jenë si rival LVV-ja dhe LDK-ja, kjo pasi LDk megjithat e bëri një tranzicion në nivelin drejtues duke zgjedhur Lumir Abdigjikun si Kryetar të LDK-së, dhe kjo mund të inkurajoj të zhgënjyerit e LDK-së, të kthehen në shtëpinë e tyre të vjetër. Me këtë përformacë që ka PDK-ja, dhe me këtë paqartësi në refomën e brendëshme me mungesë vendimmarrje, unë nuk shoh se mund të jetë pretendent për të qenë subjekti i dytë në garë për Prishtinën” tha Jashari.
Dje kryetarët e partive politike kanë mbajtur takim me Presidenten Osmani në lidhje me dakoordimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve .
LDK-ja dhe PDK-ja kanë propozuar datën 31 tetor si datë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve lokale./Botapress/