[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kryetari Svarqa pa cilësinë e shërbimeve në mjekësinë familiare



Kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, qëndroi sot në mjediset e Qendrës kryesore të mjekësisë familiare në Ferizaj, për të parë nga afër cilësinë e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve dhe efektin e investimeve që janë bërë në këtë sferë të shëndetësisë publike. Ai foli me pacientë dhe me drejtues të shëndetësisë familare, për të marrë opinione rreth gjendjes aktuale dhe mundësive për përmirësimin e shërbimeve.

Drejtoresha e mjekësisë familiare në Ferizaj Ibadete Bucaliu, bëri të ditur se kohëve të fundit është bërë një hulumtim i opinioneve të pacientëve lidhur me shërbimet e personelit shëndetësor dhe tha se  rezultatet kanë dalë të mira. Ajo veçoi angazhimin e stafit shëndetësor sidomos gjatë vizitave shtëpiake pacientëve që nuk kanë mundësi të vijnë tek mjeku dhe funksionimin e mirë të shërbimit emergjent.

Por, kryeshefi i mjekësisë familiare dr Esat Shatrolli, vuri në dukje se janë disa probleme me të cilat ballafaqohet qendra kryesore, siç janë mungesa e reagensëve, që e bëjnë jofunksional laboratorin, pastaj mungesa e filmave për fotografimin e dhëmbëve, si dhe disa pajisje që nuk janë funksionalizuar prej kohësh, si laboratori në Komogllavë etj. Ai theksoi gjithashtu numrin e pamjaftueshëm të mjekëve, që do t’i përballonin më me sukses kërkesat e popullatës.

Udhëheqja e mjekësisë familiare shpjegoi se mosfunksionimi i laboratorëve në Komogllavë dhe në Zaskok lidhet me faktin se stafi që punon aty, aktualisht gjendet në pushim mjekësor dhe se këto dy laboratorë do të funksionalizohen në pranverë.

Kryetari Svarqa i tha stafit drejtues të shëndetësisë dhe të mjekësisë familiare se duhet të gjejnë zgjidhje për problemet që varen nga faktori njeri.  Ai kërkoi nga drejtuesit e shëndetësisë dhe të mjekësisë familiare që të jenë më syçelë rreth funksionimit të pikave shëndetësore nëpër fshatra, ta mbikëqyrin punën e stafit mjekësor dhe t’i përcaktojnë vetë afatet e eliminimit të dobësive e vështirësive. Pas afatit, tha kryetari i Ferizajt, do të shtrohet përgjegjësia e secilit që nuk i ka përmbushur detyrat.

Kryetari Svarqa tha se do të qëndrojë shpesh në mjediset e institucioneve dhe kompanive publike, për të ndihmuar efikasitetin në punë dhe shtimin e përgjegjësisë për shërbime më cilësore.  ​

?

?