[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kryeministri në takimin me Stoltenberg thotë se vendimi për murin merret sot



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa priti në takim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Pas takimit, kryeministri Mustafa dhe sekretari Stoltenberg kanë mbajtur një konferencë për gazetarë.

Fjala a plotë e kryeministrit Mustafa në konferencë:

Kjo vizitë e lartë e sekretarit të NATO-s në Kosovë, është një nder i madh për Kosovën dhe për institucionet e Republikës së Kosovës.
Dëshiroj ta falënderoj për hapat që i ka ndërmarrë NATO-ja për rritjen e bashkëpunimit me Kosovën dhe për interesin e përbashkët që ne të shkojmë përpara me një bashkëpunim të veçantë ashtu siç është përcaktuar në NATO.
Ne me 5 dhjetor të vitit të kaluar, kemi marrë përgjigje në letrën time nga ju z. Sekretar, për bashkëpunim në fusha të rëndësishme për ne, dhe mua më vjen veçanërisht mirë që Kosova do të mund të përfitojë nga bashkëpunimi praktik me NATO-n, nga programet specifike të mbrojtjes së rrjeteve informatike, nga edukimi, trajnimi dhe logjistika, nga programi i ndërtimit të integritetit, nga pjesëmarrja në aktivitetet e NATO-s, shkenca për paqe dhe siguri dhe nga përfshirja e FSK-së në ushtrimet e caktuara.
Kosova e vlerëson lartë rolin e NATO-s dhe po ashtu aspiron për tu bërë anëtare e saj. Të gjitha subjektet politike në Kosovë pa marrë parasysh të pozitës apo opozitës, janë deklaruar që Republika e Kosovës është plotësisht e angazhuar për integrimet evropiane dhe ato euroatlantike dhe unë mendoj se ky është një qëndrim i përbashkët i të gjithë neve në Kosovë dhe i qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ne e vlerësojmë lartë rolin e KFOR-it dhe e shohim se është në interes të paqes dhe stabilitetit qëndrimi i mëtejmë i KFOR-it në Kosovë, dhe vlerësojmë se prania e KFOR-it është element shumë i rëndësishëm i ndjenjës së sigurisë, sidomos të komuniteteve, por edhe kontribut i paqes në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.
Qeveria e Republikës së Kosovës është thellë e përkushtuar që të gjitha çështjet t’i zgjidhë përmes procesit të dialogut.
Dialogu me Serbinë është orientim strategjik i politikave tona për normalizimin e marrëdhënieve me këtë shtet, mirëpo përkundër kësaj qasje, ne kohëve të fundit kemi pasur disa provokime sistematike, për të cilat jemi marrë vesh në Bruksel që t’i kapërcejmë me paqe dhe mirëkuptim dhe që të ndërtojmë një mjedis, në të cilin do të mbizotërojë paqja në këtë pjesë të rajonit.
Unë vlerësoj se procesi i dialogut të deritashëm ka dhënë rezultate pozitive dhe ajo mbetet e vetmja alternativë në të ardhmen. Jemi të përkushtuar të punojmë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Jemi të interesuar që t’i integrojmë të gjitha serbët në institucionet e Republikës së Kosovës dhe po ashtu ju garantoj se popullata serbe është plotësisht e sigurt në Kosovë dhe askush nuk ka nevojë të shqetësohet për atë, pavarësisht motiveve për të cilat mund të shfaqin këto shqetësime.
Ne po bëjmë përpjekje që gjithashtu me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të krijojmë marrëdhënie të mira bazuar në interes të përbashkët.
Ne i gëzohemi procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe këtë e shohim gjithashtu si kontribut të paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet që me Malin e Zi ta kapërcejmë çështjen e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit dhe konsiderojmë se kjo është çështje e jona, sepse ne me Malin e Zi kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme.
Po punojmë edhe në fusha të tjera. E njoftova Sekretarin e NATO-s, edhe në fushën e ekonomisë për rezultatet që i kemi arritur në vitet e kaluara dhe për rritjen ekonomike prej mbi 4 për qind që kemi arritur gjatë këtyre dy viteve, për uljen e përgjithshme të papunësisë, për investimet e jashtme direkte, për rolin që ka Marrëveshja për Stabilizim Asocim në integrimet tona evropiane dhe po ashtu për punën që po bëjmë në reformat evropiane.
Shpreha po ashtu nevojën që të kemi një mbështetje, ashtu siç e kemi pasur edhe deri më tani, edhe sa i përket transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës, sepse FSK-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet. Po ashtu e njoftova Sekretarin e Përgjithshëm se ne kemi biseduar me pjesëtarët e popullatës jo shumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë këtyre dy viteve të kaluara, mirëpo ky proces po mbahet peng për shkak se nuk kemi përkrahjen e deputetëve serb, jo për shkak të vullnetit të tyre, por konsideroj për shkak të ndikimit të drejtpërdrejt të Serbisë, prandaj edhe transformimi i FSK-së ka mbetur problem i këtij pengu.
Ne kemi bërë punë mjaft të rëndësishme edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe po japim prioritet të veçantë kësaj lufte. Është arritur një efikasitet më i lartë i gjyqësorit dhe prokurorisë në këtë fushë, dhe po ashtu kemi të arritura më të mira edhe tek shërbyesit civil.
Kemi evidentuar po ashtu arritje të mira edhe në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, kemi ndal tërësisht fluksin e shkuarjes dhe të bashkimit të njerëzve tanë në fronte të jashtme, dhe po ashtu kemi arrit një bashkëpunim shumë të mirë me komunitetet fetare, me shoqërinë civile, me shkollat, me bizneset, por edhe me komunitetet tjera, në mënyrë që bashkërisht të punojmë në këtë fushë.
Prandaj, z. Sekretar, unë dëshiroj që të vlerësoj lartë dhe të mirëpres vazhdimin e qëndrimit të KFOR-it në Kosovë si mision tepër i rëndësishëm për ne, të vlerësoj lartë krijimin e bazës shumë të rëndësishme të bashkëpunimit në fushën me interes të përbashkët, që është vërtetuar edhe me letrën tuaj, të shpreh vazhdimin e përkushtimit tonë për avancimin e marrëdhënieve me NATO-n në rrafshin politik dhe në rrafshin praktik, të shpreh përkushtimin e vendit tonë për paqe, për stabilitet, dhe marrëdhënie të mira me fqinjët dhe për zgjidhjen dhe normalizimin e problemeve me Serbinë përmes procesit të dialogut, se Kosova në suaza të mundësive të saj do të jetë një aleat i fuqishëm i juaji në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, dhe se jemi fuqimisht të interesuar të transformojmë Forcat e Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, si forcë e cila do të jetë mbështetëse aktive e paqes dhe stabilitetit, dhe se është në interes të Republikës së Kosovës pjesëmarrja jonë në operacionet e mbështetjes së paqes, të preferuara nën ombrellën e NATO-s.