[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kryeministri Mustafa: Qeveria e Kosovës do të vazhdojë investimet në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Dragashit



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës në Dragash ishte i pranishëm në fillimin e punimeve në ndërtimin e rrugës Dragash-Shishtavec, pika kufitare me Shqipërinë, segment i kryqëzimit me rrugën R113, deri te pika kufitare Borje-Jazhincë.

 

Gjatë vizitës, kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministrat Lutfi Zharku, Avdullah Hoti dhe kryetari i Dragashit, Salim Jenuzi, u njoftua me projektin dhe rëndësinë e këtij aksi rrugor për banorët e kësaj ane.

 

Para mediave të pranishme, kryeministri Isa Mustafa, tha se ndërtimi i kësaj rruge është një shlyerje e borxhit për këtë pjesë, duke siguruar kushte që të lidhen ndërmjet vete fshatrat ku jetojnë qytetarët e të gjitha komuniteteve të Kosovës si dhe me pjesën tjetër të Shqipërisë.

 

“Të krijojmë kushte që të kenë komunikim më të lehtë, të kenë lidhje më të mira dhe të mos jetë ndër investimet e fundit, por të bëjmë edhe investime tjera. Kemi kërkesa që të bëjmë investime edhe në rrugët që na lidhin me Maqedoninë në këtë pjesë, në mënyrë që infrastruktura të jetë si një parakusht për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin arsimor, social dhe i integrimeve tona dhe ndërtimit të përbashkët të shtetit të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

 

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, vlerësoi rëndësinë e fillimit të kësaj rruge, duke theksuar edhe ndërtimin e rrugëve të reja të cilat përmirësojnë jetën e qytetarëve të kësaj ane.

 

“Nga viti i kaluar po vazhdojmë me asfaltimin e rrugës Jabllanicë-Zaplluxhë, ndërsa këtë vit kemi nënshkruar me kryetarin e Komunës së Dragashit Memorandumin e Mirëkuptimit prej afër 1 milion euro për financimin e disa projekteve tjera. Bëhet fjalë për rrugën Brezne-Trokan-Brut, rrugën Muri Mbrojtës –Restelicë, Restelicë-Strazimir dhe Strazimir-Dragash. Në anën tjetër, Ministria do ta kryej edhe rrugën Xërxë–Pllajnik. Është një investim i përgjithshëm në këto dy vjet në vlerën mbi 2 milionë e gjysmë euro”, tha ministri Zharku, duke theksuar se investimet në ndërtimin e rrugëve do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.

 

Kryetari i Dragashit, Salim Jenuzi, shprehu kënaqësinë për vizitën e kryeministrit Mustafa dhe të ministrave Hoti e Zharku, me rastin e fillimit të punimeve.

 

“Është rrugë e cila i lidhë dy shtetet, Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, lidhë dy fshatra, fshatin Borje dhe Glloboqicë në anën tonë, lidh qytetarët sepse ata i kanë lidhjet miqësore të mëhershme mes vete. Në një mënyrë ose tjetër është projekt i qëlluar ndoshta më së shumti për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ata të Kosovës”, tha kryetari Jenuzi.

 

Nisjen e punimeve e ka përshëndetur edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Usmen Baldzi.

 

Projekti rrugor Dragash – Shishtavec do të ketë një gjatësi prej 1400 metrash, gjerësi prej 6 metrash, ndërsa kosto e këtij projekti do të jetë 200,000 euro. Sipas planit dinamik, punimet parashihet të përfundojnë brenda 55 ditë pune.

 

Gjatë këtij viti, Ministria e Infrastrukturës do të investojë edhe në realizimin e dy projekteve të tjera kapitale, ndërtimin e rrugës Brezne-Trokan-Brrut dhe rehabilitimin e rrugës Xërxë-Pllajnik.