[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kryeministri Mustafa: Përkrahja e SHBA-ve e pazëvendësueshme për Kosovën



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim drejtorin e Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, Matthew Palmer.

 

Gjatë takimit, është biseduar gjerësisht për proceset në Kosovë si dhe bashkëpunimin e mëtejme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Kryeministri Mustafa e njoftoi z. Palmer për progresin e shumanshëm në Kosovë, për zhvillim ekonomik, avancimin e proceseve euroatlantike si dhe fuqizimin e shtetësisë e të subjektivitetit ndërkombëtar.

 

Duke e falënderuar për përkrahjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për thellimin e partneritetit strategjik me SHBA-në.

 

Gjatë takimit, u bisedua edhe për proceset tjera duke veçuar rëndësinë e adresimit të çështjes së ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe çështjet tjera të rëndësishme për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, siç janë transformimi i FSK-së, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimi i dialogut evropian për normalizimin e raporteve ndërshtetërore me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura.

 

Drejtori i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, Matthew Palmer, vlerësoi të arriturat në Kosovë, si dhe përkushtimin e Kosovës për avancimin e agjendës integruese dhe zhvillimore.

 

Palmer, po ashtu, shprehu përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-ve për Kosovën dhe për rajonin.