[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kryeministri Mustafa: Jemi të përgatitur edhe për provokime të tjera nga Serbia    



Botapress, 10 shkurt – Megjithëse është i përkushtuar për dialog me Serbinë, kryeministri Isa Mustafa thotë se vendi është i përgatitur edhe për provokime të tjera nga Serbia. Ndërkaq themelimin e Asociacionit nuk e lidh me trenin serb apo murin ne veri, duke konstatuar se themelimi i Asociacionit është çështje ligjore e kushtetuese. Edhe pse Demarkacioni ka mbetur pezull, ai ende ka shpresa se pas përfundimit të punës së Komisionit për matjen e territorit të vendit, deputetët do të votojnë Demarkacionin dhe qytetarët do të mund të përfitojnë liberalizimin e vizave.

Në një intervistë ekskluzive për Botapress, kryeministri Isa Mustafa shton se koalicioni është stabil dhe ai do ta qojë mandatin deri në fund duke i përmendur disa asrsye të suksesit të Qeverisë që ai drejton.

Për këto dhe shumë çështje të tjera, flet Kryeministri Isa Mustafa në një intervistë ekskluzive për Botapress.

 

 Intervistoi Bajrush Morina

 

Botapress:  Z. Kryeministër, Treni u ndal, muri u rrënua…A pritni ndonjë provokim tjetër nga Serbia?

 

Kryeministri Mustafa: Unë nuk jam i predispozuar që të pres nga askush veprime që nuk janë korrekte, që nuk janë në përputhje me vlerat bashkëkohore, që mund të cenojnë stabilitetin e të krijojnë konflikte. Andaj, unë nuk dua që të paragjykoj, por mund të them që ne jemi të përgatitur që çdo çështje ta trajtojmë në përputhje me tri parime kryesore:

  • Në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës,
  • Në partneritet dhe bashkëkoordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë, me SHBA-në, me BE-në, me NATO-n dhe partnerët tjerë strategjik.
  • Në koordinim të plotë ndërmjet faktorit institucional dhe politik në Kosovë.

Përndryshe, ne jemi të përkushtuar për dialog të lehtësuar nga BE-ja dhe me pjesëmarrjen permanente të SHBA-ve, për fuqizimin e paqes, stabilitetit dhe për të garantuar plotësisht sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë.

 

Isa-Mustafa-480x270

                                                                                           Çështja e Asociacionit nuk lidhet me trenin as murin

 

Botapress:  A e ka “shpejtuar” formimin e Asociacionit, provokimi serb me trenin dhe me murin? A keni nisur punën në hartimin e statutit të Asociacionit dhe a do ta procedoni gjate muajve në vazhdim këtë statut për miratim në Kuvend?

 

Kryeministri Mustafa: Çështja e Asociacionit nuk lidhet me trenin as murin. Ajo është çështje ligjore, çështje kushtetuese, e vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese si obligim i joni pasi që me ratifikimin e tij në Kuvend e kemi bërë pjesë të rendit juridik të vendit. Pra, krijimi i Asociacionit, është çështje që ne do ta bëjmë pavarësisht rrethanave tjera, pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës na e ka hap udhën duke na dhënë një pasqyrë të qartë se si do ta ndërtojmë këtë Asociacion, që ai të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ne kemi zhvilluar disa konsulta dhe presim që pas kthimit të Listës Serbe në institucione, të filloj hartimi i Statutit i cili do të dërgohet sërish në Gjykatë Kushtetuese për konfirmim dhe më pas të ecet më tutje.

 

isa-mustafa_1486657651-9402696

                                                                                     Demarkacioni do të kalojë…

 

Botapress: Demarkacioni ka mbetur pezull. Edhe lëvizja e lirë e qytetarëve po ashtu. A ka shpresë për miratim të Demarkacionit dhe a ka shpresë për qytetarët që së paku këtë vit të fitojnë “lirinë e lëvizjes” në Evropë

 

Kryeministri Mustafa: Ka shpresë dhe ne nuk e kemi lënë këtë vetëm në dorë të fatit, por kemi punuar shumë në këtë drejtim. Pra, sa i përket demarkacionit, ne kemi krijuar një hapësirë të mjaftueshme që të zhvillohet debat i gjithanshëm argumentues, të trajtohen të gjitha pretendimet edhe pas gjithë atyre argumenteve që janë dhënë nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, nga ekspertët vendorë  dhe treshja kredibile ndërkombëtare, dhe të garancive të dhëna edhe nga komisioni shtetëror. Tani kemi krijuar edhe një Komision të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës i cili përbëhet nga anëtarë të dërguar nga:

  • Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës;
  • Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore;
  • Grupi për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit dhe dy ekspertë nga shoqëria civile;
  • Agjencia Kadastrale e Kosovës;
  • Agjencia e Ujërave;
  • Agjencia e Pyjeve;
  • KOSTT-i;
  • Agjencia Kosovare e Privatizimit;
  • Policia e Kosovës;
  • Agjencia e Statistikave të Kosovës;
  • Kryetari i Komunës së Pejës;
  • Kryetari i Komunës së Deçanit;
  • Kryetari i Komunës së Istogut;
  • Kryetari i Komunës së Junikut; dhe
  • Dy përfaqësues janë caktuar nga Rajoni i Rugovës në Pejë.

Pas përfundim të punës plotësisht të pavarur nga ana e këtyre ekspertëve shumë kredibil, raporti i tyre do të aprovohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe me këtë raport pastaj do ta njoftojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj lidhur me territorin që e kemi tani dhe territorin që e kemi pasur para datës 25 gusht të vitit 2015.

Më pas, deputetët e Kuvendit do ta kenë në dorë çështjen e ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, e cila përveç që do t’i mundësojë qytetarëve lëvizje të lirë, do të ketë impakte të rëndësishme në forcimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit, duke shënuar edhe një kufi ndërshtetëror dhe ndërkombëtar, do të ketë edhe efekte të tjera shumë pozitive në forcimin e shtetit, partneritetin strategjik me vendet mike si dhe fuqizimin e paqes dhe të sigurisë në rajon.

Por, është shumë më rëndësi që ne tashmë i kemi plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe ka mbetur vetëm çështja e demarkacionit.

 

Kryeministri-i-Kosoves-Isa-Mustafa-ne-Kuvendin-e-Kosoves-1

                       Opozita të heq dorë nga nga kauzat politike për përfitime individuale dhe qasja populliste

 

Botapress: A është koalicioni PDK LDK stabil edhe pse po i mungojnë votat për miratim të Demarkacionit për shembull?

 

Kryeministri Mustafa: Dilema rreth votave për demarkacionin nuk lidhet me stabilitetin e koalicionit qeveritar. Pra, këtu nuk kemi dilema të ndonjë partie por ka paqartësi nga disa deputetë individualë. Unë mendoj se këto dilema do të eliminohen përfundimisht nga Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit dhe shpresoj që të gjithë deputetët, jo vetëm të koalicionit por edhe të opozitës, të heqin dorë nga kauzat politike për përfitime individuale dhe qasja populliste por t’i mundësojmë qytetarëve tanë lëvizje të lirë. Nuk është e ndershme që t’i izolojmë qytetarët tanë duke bërë lojëra të tilla që cenojnë shumëçka në Kosovë.

 

isa-mustafa_9528

                                                                     Ja pse do ta qoj mandatin tim deri në vitin 2018

 

Botapress: A mendoni se do t’i rezistoni deri në fund të mandatit presionit opozitar, qoftë edhe me protesta të dhunshme?

 

Kryeministri Mustafa: Mandati i Qeverisë së Kosovës buron nga vota e qytetarëve dhe besoj që gjatë kësaj kohe e kemi dëshmuar se ne meritojmë që ta vazhdojmë deri në fund, për shumë arsye.

Nëse flasim për rezistencën tonë, nuk e kuptoj assesi atë si koncept fizik të ballafaqimit me presionin dhe dhunën eventuale opozitare, por si çështje të legjitimitetit, legalitetit dhe përkrahjes së madhe popullore.

Është kjo Qeveri që e përmbylli MSA-në, që bëri reforma të jashtëzakonshme ekonomike, që solli zhvillimin ekonomik më të lartë në rajon për dy vite rresht, që arriti Buxhet 2 miliardë euro, që zgjidhi pas 17 vjetësh çështjen e Trepçës, që zgjidhi pas 17 vjetësh çështjen e veteranëve, që u ballafaqua me sukses me sfidat e brendshme dhe të jashtme, që po dëshmon lidership shtetëror, që plotësoi të gjitha kriteret për liberalizim të vizave duke marrë edhe rekomandimin pozitiv për viza, që uli papunësinë nga 35% në 26%, që rriti pensionet nga 25% deri në 70% që rriti asistencën sociale 25%, që krijoi kushte që Kosova të mos ngecë në anëtarësimin në UEFA dhe FIFA, që bëri të mundshme pajisjen me Kod Shtetëror Telefonik, që po e lufton me çdo mjet korrupsionin dhe krimin e organizuar…

Ne tani jemi të fokusuar në zhvillimin e mëtejshëm të vendit, duhet ta bëjmë transformimin e FSK-së, të punësojmë qytetarët e jo të merremi me çështje të tjera që vetëm do t’i prolongonin këto procese vitale për shtetin.