[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kryeministri: Do të gjejmë investitorë për Brezovicën



Shefi i Qeverisë, Isa Mustafa ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke mbajtur premtimin për zhvillim ekonomik derisa ka paralajmëruar se shpejt do të gjinden edhe investitorët për Brezovicën.

Këto komente, Kryeministri Mustafa i ka bërë pak orë pasi është rrënuar muri në Veri të Mitrovicës.

“Shpejt do të fillojmë me operacionalizimin e investimit në TC Kosova e Re, prej rreth një miliard euro. Do të gjejmë edhe investitor për Brezovicën. Po e zbatojmë Marrëveshjen për Stabilizim Asocim dhe Agjendën e Reformave Evropiane. Të gjithë, me përgjegjësi, po e bëjnë punën e tyre”, ka shkruar Mustafa, në FB.

“Qeveria po e mban premtimin për zhvillim ekonomik. Dy vite të këtij mandate i shënuam me rritje të lartë dhe të qëndrueshme ekonomike, me ulje të papunësisë së përgjithshme, me fuqizim të sektorit privat të ekonomisë.  Aprovuam Ligjin për Trepçën, Ligjin për Investime Strategjike, e kaluam fazën e parë të reformave fiskale dhe po e përmbyllim shumë shpejtë fazën e dytë të këtyre reformave. Siguruam ndryshimet e Ligjit për Veteranët dhe plotësuam kërkesat për vazhdim në programin e FMN-së”, ka shtuar ai.

Sipas tij, gjithë këta hapa, sigurojnë një rritje të fuqishme ekonomike sidomos në vitet në vijim.

“Duhet tu gëzohemi sukseseve tona por të synojmë edhe më shumë”.