Tash e disa javë, aksioni “Brezovica 3” vuri në shënjestër dhjetra zyrtarë institucional për vepra si; keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje apo dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim të ndikimit. Ky aksion, vuri në pranga edhe drejtorin e Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Bedri Halimin. Por, veç dy ditë pasi ministria mbeti pa kryeinspektor, u mor vendim që të emërohet kundërligjshëm një ushtrues detyre…
Burime të gazetes brenda ministrisë së udhëhequr nga Liburn Aliu kanë treguar se në pozitën vakante të ish-drejtorit të arrestuar u emërua Elbasan Shala, që në të kaluarën ishte inspektor i ujërave. Vendimi pra ishte i kundërligjshëm, pasi siç ka mësuar Periskopi, Shala e kishte koeficientin e përgjegjësisë tre më poshtë se të Halimit, ose 7, ndërsa ai 10.
Gazeta ka kontaktuar edhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por nuk kanë pranuar të deklarohen për rastin në fjalë.
Rregulloret e brendshme të institucioneve të Kosovës parashohin që i emëruari i ri duhet të ketë koeficientin e njëjtë ose ekuivalent, me të zyrtarit të larguar /suspenduar.
Ndryshe, emërimi ka qenë edhe në kundërshtim me Ligjin nr 06/L-13 për Organizmin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura.
Neni 19 -Departamenti, paragrafi 4 thotë se: ‘’Drejtori i departamentit, në rast të mungesës, zëvendësohet nga udhëheqësi i Divizionit i caktuar më shkrim nga vet drejtori, apo në raste të pamundësisë shëndetësore të udhëheqësit të divizionit, zëvendësimi caktohet nga drejtori i departamentit”.
Kujtojmë që më 3 Mars pati vazhduar aksioni “Brezovica 3”, ku janë bastisur 12 lokacione dhe janë arrestuar shtatë persona, prej tyre ish-zyrtarë të MMPHI dhe katër pronat të kompanive ndërtimore. Bastisjet kanë ndodhur në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan./Botapress.info/