Vjosa Osmani e Albin Kurti kanë emëruar para dy ditësh në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së, Kujtim Shalën, një personazh që disa herë ishte përfolur në media pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në vend të Burim Ramadanit, i cili shërbeu për tri vite në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm në AKI, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti emëruan Kujtim Shalën, për të cilin u dha vetëm një detaj.
Mërgimtarët drejt Kosovës, kolonat në kufirin Kroaci-Serbi deri në 3 km të gjata
Pa treguar rreth biografisë së tij, në njoftimin e presidencës u tha se “deri më tani ai ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës”.
“Pas konsultimeve, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë emëruar Inspektor të ri të Përgjithshëm të AKI-së, z. Kujtim Shala, i cili deri më tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, konfirmoi Presidenca para dy ditësh.
Por, më pas portali Demokracia ka publikuar CV-në e Shalës, në të cilën zbulohen disa detaje të rëndësishme.
Aty shihet se Shala gjatë vitit 2006 ka punuar në kompaninë “Management Development Associates” (MDA), biznes ky i Luan Dalipit, shefit të kabinetit të Albin Kurtit.
Ndërkohë dihet se ai ka lindur në Barilevë të Prishtinës dhe është një ekonomist. Ka studiuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjegjësisht në Fakultetin Ekonomik, bachelor e master.
Shala në CV-në e tij thotë se anglisht e serbisht vetëm di të lexojë mirë, por jo edhe aq mirë të shkruajë e të flasë.
Para FSK-së, ai kishte punuar në disa kompani private dhe njëra prej tyre ishte edhe Kuvilab SHPK, e cila merret me përpunimin e mishit dhe prodhimin e sallamit e suxhukut.
Po ashtu, ai kishte punuar edhe në PBC dhe Genetics. /Botapress.info/