Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e energjisë për muajin janar të këtij viti, sipas të cilit prodhimi bruto nga termocentralet e energjisë elektrike ishte 525.43 GWh; hidrocentralet e energjisë elektrike ishte 4.35 GWh dhe prodhimi bruto nga era dhe ajo solare e energjisë elektrike ishte 38.24 GWh.
Sipas ASK-së, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 869.42 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 536.21 GWh, ose 4.52% më i madh sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak.
“Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 7.6%. Ndërkaq, importi i energjisë elektrike në janar 2022 ishte 412.44 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike ishte 111.04 GWh. Prodhimi i thëngjillit ishte 7.83 mijë ton, ose rreth 26.88% më shumë sesa në muajin i njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në njoftim.
Për çështjen e importit, pak para shtrenjtimit të faturave të energjisë elektrike, kryeministri Albin Kurti ankohej për shumën e lartë me të cilën importohej rryma në Kosovë.
“Vetëm dje kemi paguar importin e energjisë elektrike 2 milionë e 500 mijë euro, më tregoni deputet qysh të paguajmë, ku ta gjejmë këtë shumë, kjo është çështja, është shumë e thjeshtë”, thoshte Kurti.