Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Janjevë të Lipjanit, ku rreth orës 04:00 të mëngjesit janë dëgjuar krisma armësh.
Gazeta mëson se rastin e ka denoncuar një 72-vjeçar, i cili ka deklaruar se momentin që ka dalë nga shtëpia për të parë se çfarë po ndodh, ka parë një veturë e cila është larguar me shpejtësi në drejtim të panjohur.
Njësitë policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjajres, ku kanë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja të armës që dyshohet se u përdor në rast, teksa një predhë e plumbit kishte përfunduar në kuzhinën e të moshuarit, por që fatmirësisht nuk ka pasur pasoja në njerëz.
Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo Policia është vënë në lëvizje që t’i identifikojë ata sa më shpejt.
Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen të dyshuarit.