KQZ thërret mbledhje të jashtëzakonshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhje të jashtëzakonshme, ku temë diskutimi pritet të jetë çështja e zgjedhjeve në Veri.

Lajmin se mbledhja e jashtëzakonshme do të mbahet nga ora 18:00 për Insajderin e ka konfirmuar anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani.

“Po është e vërtetë që e kanë thirrur një mbledhje nga ora 18:00, detaje tjera nuk di”, ka thënë Elshani për Insajderin.

Dje punëtorët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Mitrovicës së Veriut përmes një letre drejtuar institucioneve gjegjëse, janë shprehur se është e pamundur të vazhdohet puna, pas situatës së shkaktuar atje.

Madje potencohet se njëri nga punonjësit nën përcjellje të policisë ka tentuar të futet në zyrën e tij por ka qenë sërish e pa mundur për shkak sulmit të serbëve që kanë bërë në drejtim të zyrave të tyre.

“Sa për informimin tuaj zyra jonë është e demoluar pothuajse tërësisht”, thuhet në letër përcjell Insajderi.

Si rrjedhojë ata janë shprehur se ata dhe familjarët e tyre po ndihen të rrezikuar.

“Ne si staf civil nuk jemi të përgatitur të veprojmë në rrethana ku ka gjuajtje me armë zjarri dhe bomba dore”, vijon tutje shkrimi.

Ndërkohë, theksojnë se kontakti me administratën komunale në Veri të Mitrovicës është e pamundur të merren informata mbi gjendjen e qendra të votimit, kjo për shkak se ato menaxhohen nga serbët.

Në fund të letrës punonjësit kanë kërkuar që të kontakti me administratën komunale të iu mundësohet përmes MAPL-së.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dje në konferencën për media është pyetur për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri.

Ai tha se bindja e tij personale është që Policia ka kapacitete për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve.

Kujtojmë se, një sulm me armë zjarri ka ndodhur dje rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit, ku la të plagosur pjesëtarin e policisë së Kosovës, Ekrem Neziri, derisa ishte duke e kryer punën e tij./Botapress.info/

 

ngjashme