Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar përfaqësitë diplomatike (ambasadat dhe konsullatat) ku do të mund të votojnë të gjithë shtetasit e Kosovës që do të regjistrohen si votues jashtë Kosovës.
Gjithashtu, KQZ ka caktuar edhe numrin e votuesve që do të lejohet të regjistrohen për të votuar në përfaqësitë diplomatike, i cili në total është rreth 50 mijë votues.
Sipas vendimit të KQZ-së do të votohet në 22 shtete, respektivisht në ambientet e 35 ambasadave/konsullatave me gjithsej 47 vendvotime.
Vendimi është marrë në mbledhjen e KQZ-së dhe lista do të publikohet së shpejti nga KQZ.
Përveç regjistrimit për votim në përfaqësi diplomatike, votuesit mund të kërkojnë të regjistrohen për të dërguar pakon me fletëvotim në fah postar të KQZ-së në Kosovë apo në fah postar të KQZ-së jashtë Kosovës.